Minimalisht 5 vite burg për të gjithë ata shtetas që marrin pjesë në luftën e Sirisë apo atë të Irakut. Maqedonia ashpërsoi kështu ligjet e saj për ata që financojnë dhe organizojnë dërgimin e personave në zonat e luftës.

Dënime të ngjashme parashikohen edhe për ata që mbështesin, financojnë apo nxisin terrorizmin dhe pjesëmarrjet në luftrat jashtë vendit.

Por për partinë Lidhja Demokratike këto masa janë të pamjaftueshme për t’u përballur me fenomenin e pjesëmarrjes së shtetasve maqedonas në konfliktet jashtë vendit.

“Nëse hartojmë një strategji të përbashkët mes vendeve të Ballkanit, atëherë do ta kemi më të lehtë ta parandalojmë këtë dukuri. Madje, në këtë betejë duhet të përfshihen edhe partitë politike, bashkësitë fetare dhe sidomos sektori civil. Vetëm me një strategji të tillë mund të presim rezultate sepse masat ligjore nuk mjaftojnë”, ka deklaruar deputeti Pavle Trajanov.

Ndërkohë, masat janë mirëpritur nga partia shqiptare në pushtet BDI. “Ekstremizmi dhe radikalizmi nuk kanë vend në asnjë fe e asnjë komb. E tillë është pjesëmarrja e forcave paraushtarake në Ukrainë. Ky ligj shërben për të ndaluar thirrjen për pjesëmarrjen e qytetarëve maqedonas në luftërat e huaja, pasi radikalizmi dhe ekstremizmi tek ne nuk kanë vend”, tha deputeti Artan Grubi.

Top Channel