Është koha për një etapë të re mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ambasadori i ri shqiptar në Beograd, Ilir Boçka, takoi Presidentin serb duke filluar punën zyrtarisht.

Presidenti Nikoliç tha se Serbia dhe Shqipëria kanë pasur pengesa dhe tensione në marrëdhëniet e tyre, por vendi i tij është i gatshëm për një bashkëpunim të thellë. Ai tha se vizita e kryeministrit Edi Rama do të jetë një hap pozitiv.

Ambasadori shqiptar tha se është pritur mirë në Serbi dhe se, pavarësisht çështjes së Kosovës, të dyja vendet mund të kenë marrëdhënie të mira.

“Fakt është se shteti i Republikës së Serbisë ka një gatishmëri më të madhe në zhvillimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, ndonëse çështja e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës ekziston, ka një dialog, kjo për momentin duket se nuk e pengon Serbinë të zhvillojë marrëdhëniet edhe me Republikën e Shqipërisë në të gjitha fushat, pa vendosur kushte. Ky padyshim është një moment që duhet shfrytëzuar, për të mirën e të dy vendeve dhe popujve tanë”, u shpreh Ilir Boçka, Ambasador i Shqipërisë në Beograd.

Ambasadori Boçka është diplomat karriere dhe më parë ka qenë në poste të rëndësishme dhe në misione të ndryshme diplomatike, si ai në NATO.

Top Channel