Ndonjëherë, mjekësia nuk është e vetmja zgjidhje në momentet kur shëndeti bën “lojra” me ju.

Ekzistojnë shumë alternativa që, shpeshherë, ndihmojnë po aq sa shkenca, dhe një pjesë e qenësishme e tyre janë dhe ujrat termominerale. Mrekullitë kurative të tyre janë provuar më së miri edhe në Peshkopi, aty ku banjot termale, prej shumë vitesh identifikojnë qytetin e vogël Verilindor.

Llixhat e Peshkopisë janë “stacioni” kryesor i personave, që vuajnë nga sëmundjet reumatizmale, gjinekologjike, apo që duhet të riaftësohen pas traumave. Çdo vit, në pranverë dhe në vjeshtë, stinët kur rekomandohet edhe larja në ujrat termale, afro 2000 njerëz frekuentojnë banjot kurative.

Shumë prej tyre janë pacientë besnikë, që kanë gjetur shërim apo janë përmirësuar ndjeshëm nga llixhat. Por, ka dhe nga ata që vijnë për herë të parë, pas rekomandimeve nga të afërmit apo miqtë e tyre.

Mjeku Mentor Prifti, prej shumë vitesh pjesë e stafit të llixhave të Peshkopisë, shpjegon përmirësimin që ka pasur një paciente, e cila vuan nga nervi shiatik.

“Është me protezë dhe trajtohet në vaskën e rehabilitimit. Gjendja e saj vazhdon të përmirësohet dita-ditës”, shprehet mjeku.

“Llixhat më bëjnë mirë, është viti i pestë që vij këtu, ndihem shumë më e lehtësuar, shumë më mirë”, deklaroi pacientja.

Por, jo çdokujt mund t’i rekomandohen banjot termale si, për shembull, pacientëve me tension të lartë të gjakut, apo me probleme respiratore. Fillimisht duhet një konsultë mjekësore.

“Duhet të të shohim edhe parametrat, se si është historia e tensionit dhe e zemrës, pastaj mund të të këshillojmë të bësh banjo, por të kufizuar”, i thotë mjeku një pacienti.

Gjatë kohës së larjes në vaska, e cila varion nga 10-15 minuta, punonjëset e llixhave duhet të kontrollojnë nëse gjithçka aty brenda shkon mirë. Mjeku Prifti shpjegon arsyet e këtij kontrolli.

“Brenda 10-15 minutave personeli është i detyruar ta ndjekë të sëmurin gjatë gjithë kohës dhe të trokasë duke marrë përgjigje pas derës. E nëse nuk kthehet përgjigje, atëherë shtyhet dera, pasi dyert nuk ngelen asnjëherë të mbyllura, por gjysmë të hapura. Sigurisht me kompetencën e profesionistëve dhe personelit mund të hapen ato”, deklaron mjeku Mentor Prifti.

Balta është një element i rëndësishëm i kurimit në llixhat e Peshkopisë. Ajo u ka shërbyer më së shumti pacientëve me probleme steriliteti, edhe kur mjekësia nuk u ka dhënë asnjë shpresë.

“Te pacientët, balta përdoret për historinë e sëmundjeve të ndryshme si reumatizmat degjenerative, sponteliatroza, herniet diskale, por sigurisht edhe për raste që kanë të bëjnë me sterilitetin, ku këtu te ne mund të kenë ndodhur edhe mrekulli, veçanërisht në sterilitetet primare”, theksoi mjeku Prifti.

Periudha e rekomandueshme e qëndrimit dhe terapisë është 15-ditore. Gjatë kësaj kohe, pacientët zgjedhin hotelin shtetëror apo hotelet private, që janë shtuar së fundmi në zonën përreth.

Kushtet dhe shërbimi që ato ofrojnë janë në harmoni edhe me çmimet, çka ka bërë që numri i vizitorëve të rritet gradualisht, nga viti në vit. Ata që gjejnë shërim nga llixhat e Peshkopisë kthehen sërish aty…

Top Channel