Kombëtarja përgatitet për Portugalinë

05/09/2014 00:00

Kombëtarja shqiptare po vazhdon e qetë dhe pa ndonjë shqetësim dëmtimi përgatitjet për ndeshjen me Portugalinë, e para për kualifikueset e “Euro 2016”.

Menaxheri i kombëtares Alban Bushi tregon se gjendja e futbollistëve kuqezi është e mirë dhe jep disa detaje për formacionin, që do të luajë të dielën.

“Gjendja është shumë e mirë, po punojmë me shumë qetësi. Rëndësi ka që ekipi nuk ka asnjë lloj dëmtimi, në përgjithësi janë bërë stërvitje tekniko-taktike. Janë disa lojtarë që luajnë nëpër kampionate, të cilat kanë zhvilluar shumë javë, si ato të Zvicrës, Norvegjisë, etj., te të cilët besoj se do të mbështetet më shumë trajneri për t’u dhënë mundësinë të jenë në formacion ditën e diel”, shprehet Alban Bushi.

Ish-futbollist i kombëtares, tashmë në rolin e menaxherit të saj, vlerëson edhe dy hyrjet e reja në skuadrën tonë përfaqësuese.

“Shala dhe Xhaka janë dy lojtarë të talentuar, por nuk kanë eksperiencë me ekipet kombëtare. Megjithatë besoj se janë lojtarë që kanë shumë minuta të luajtura në këmbët e tyre dhe priten të bëjnë diferencën në krahasim me lojtarët e tjerë”, tha Bushi.

Në fund, Bushi i është kundërpërgjigjur trajnerit të Serbisë, Dick Advocaat, i cili para pak ditësh deklaroi se nuk e llogarit fare kombëtaren tonë si kundërshtare.

“Ne kemi treguar kohët e fundit se për Shqipërinë ka qenë shumë e hapur çështja e kualifikimit. Jemi përballur me ekipe shumë më të forta se Serbia dhe kemi marrë rezultate pozitive. Serbia është një ekip që luan futboll, ka nivel të mirë dhe me një mesatare relativisht të re në ekipin e saj, ndaj dhe gjithçka mund të ndodhë, por për një gjë jam i sigurt, se ne shkojmë në Serbi për fitore”, deklaroi Alban Bushi.

Top Channel