Nju Jork, fansat e iPhone 6 zënë radhën në Apple Store

05/09/2014 00:00

Data e mbërritjes nëpër dyqane e iPhone 6 është ende e panjohur, por tashmë po formohen radhët e para të fanatikëve të iPhone-ve në Nju Jork përpara Apple Store në Fifth Avenue. iPhone 6 do të prezantohet më 9 shtator në Cupertino të Kalifornisë.

Riti i pritjes tashmë është një ngjarje klasike në vigjilje të daljes së modelit më të ri të iPhone. Radhët e gjata në vitet e shkuara janë kthyer edhe në një okazion për të tërhequr vëmendjen mediatike.

Siç raporton edhe site “Macity”, Brian Ceballo dhe Joseph Cruz kanë mbërritur në Fifth Avenue më 31 gusht duke planifikuar që do të qëndrojnë në pritje për rreth 19 ditë. iPhone 6 nëpër dyqanet Apple Store mund të dalë më 19 shtator.  

Eventi i Apple do të prezantohet në Cupertino një vend historik ku Steve Jobs 30 vjet më parë prezantoi Mac, PC-ja që solli një revolucion në informatikë. Sipas të dhënave të fundit do të performojnë edhe U2  që në vitin 2004 së bashku me Jobs lançuan një version special të iPod. Për bandën e Bono Vox eventi i Apple pritet të jetë edhe një okazion për të prezantuar albumin më të ri.

Top Channel