Grekët kanë mirëpritur uljen e normës referente të interesit nga Banka Qendrore Europiane, nga 0.15% në 0.05% që është dhe minimumi historik i saj.

Qytetarët në Greqi, ashtu si edhe ata të vendeve të eurozonës, që kanë vështirësi ekonomike nga kriza e borxhit, shprehen se ky veprim do të nxisë ekonominë, duke sjellë një lehtësim të huamarrjes dhe kredive, pas një politike të ngurtëe të bankave europiane dhe shkurtimit të shpenzimeve shtetërore dhe reduktimit të vendeve të punës, nga qeveritë e këtyre shteteve.

“Gjithnjë, çdo veprim nga BE për të ulur normat e interesit, ose diçka tjetër e kësaj natyre, është pozitive për qytetarët”, tha Adonis Lerodiakonou, nëpunës grek.

“Ky është një lajm i mirë, 0.05% është një normë shumë e ulët, por unë jam i shqetësuar se Europa, ashtu si Japonia, janë duke shkuar drejt një deflacioni”, tha Petros Vasiliu, profesor i Ekonomisë.

Lajmi vjen në një moment të vështirë për Athinën, sidomos pas klasifikimit të fundit të Greqisë nga ana e agjencisë së vlerësimit “Moody’s”, që e vendos atë në vendin e katërt midis 10 vendeve, që kanë rrezikshmërinë më të lartë në botë për të falimentuar, bashkë me Argjentinën, Egjiptin dhe Pakistanin.

Nga Panairi Ndërkombëtar i Selanikut, që fillon ditën e shtunë, kryeministri Samaras, që pritet të trumbetojë përsëri sukseset në zbatimin e reformave të kërkuara nga kreditorët e Greqisë, do të deklarojë gjithashtu disa masa lehtësuese, sidomos përsa i përket taksave, që janë rritur jashtë mase dhe disa paketave sociale për qytetarët në nevojë.

Por, nga ana tjetër, sindikatat e sektorit shtetëror dhe atij privat organizojnë këtë fundjavë protesta të fuqishme në qytetin e dytë më të madh të vendit, për politikat e ashpra të koalicionit qeveritar, që kanë gjunjëzuar shumicën e qytetarëve, ndaj dhe më shumë se 4000 policë do të jenë në gjendje gatishmërie për shmangien e incidenteve të dhunshme.

Top Channel