Greqia ka kërkuar urgjent ndihmë të re financiare nga BE, për të përballuar valën e pandalshme të emigrantëve ilegalë, shumica e të cilëve vijnë nga zonat e konflikteve, si Siria dhe Iraku.

Deklaratën e ka bërë vetë ministri grek i Marinës Detare, i cili ka theksuar se ky numër ka tejkaluar mundësinë e përballimit nga ana e rojeve detare greke, ndërkohë që sipas tij ka të dhëna se më shumë se 1 milion emigrantë presin të vijnë nga brigjet turke drejt Greqisë.

Ai njëkohësisht i ka bërë thirrje BE-së për më shumë fonde për operacionet e rojeve të bregut, duke theksuar se në qoftë se problemi vazhdon, do të ketë rreziqe si për grekët, ashtu edhe për jetën e emigrantëve.

“Përfundimisht, për shkak të kufizimeve buxhetore që kemi pasur, si dhe burimet e kufizuara dhe mungesa e mbështetjes së madhe nga BE, unë mendoj se ne jemi në një zone rreziku, pasi jemi të kufizuar për të kryer këtë operacion”, tha Miltiadis Varviciotis, ministër i Marinës Detare.

BE i ka dhënë Greqisë rreth 70 mln euro, që nga viti 2007, për blerjen e pajisjeve të rojes bregdetare, por Varviciotis thotë se vendi ka nevojë për një shtesë prej 63 mln euro të tjera, për shpenzimet operative.

“Ne kemi kërkuar nga KE financim shtesë, për të përballuar sfidat në rritje. Ende jemi në një proces duke u përpjekur për të marrë fonde shtesë, por për fat të keq, deri tani, nuk janë përmbushur kërkesat tona”, tha ministri Miltiadis Varviciotis.

“Frontex”, agjencia e BE për kufirin, jep një kontribut vjetor prej rreth 2.8 mln euro, por shpenzimet e operacioneve të rojës bregdetare, vetëm në një muaj, kanë shkuar në 5.2 mln, thekson pala greke.

Në vitin 2012, më shumë se 3.000 emigrantë ilegale u kapën në kufijtë detarë të vendit. Ky numër shkoi në 10.000 në vitin 2013 dhe në 17.000 sivjet, kur vetëm në muajin Gusht u ndaluan 6000 emigrantë. Më shumë se 50% e tyre janë nga Siria, ndërsa të tjerët nga Iraku, Afganistani dhe Palestina.

Çështjen e emigracionit, nga vendet në konflikt drejt Greqisë, e ka trajtuar në samitin e NATO-s edhe kryeministri grek Antonis Samaras, ndërsa vendosja e ministrit të Mbrojtjes, Dimitris Avramopoulos, në postin e komisionerit të BE-së për Emigracionin, në Tetor, pritet t’i japë një zgjidhje këtij problemi, që i shkakton kokëçarje të vazhdueshme Athinës zyrtare.

Top Channel