Promovimi i kulinarisë në Pogradec

06/09/2014 00:00

Kulinaria si një komponent i rëndësishëm i Festivalit të Filmit Ballkanik ka kulmuar mbrëmjen e së premtes me një gatim të veçantë dhe tradicional.

Në qytetin e Pogradecit, ku dhe po zhvillohet ky festival, janë shtruar tavolinat për t’u dhënë mundësinë kineastëve pjesëmarrës të shijojnë kabuninë, një gatim i vjetër që mikson disa kultura.

Kuzhinieri truk Ahmet Dursun ka treguar disa detaje për këtë përzgjedhje që u është shërbyer pjesëmarrësve në këtë mbrëmje të veçantë.

“Kabunia është një gatim, një pjesë e të cilit erdhi nga turqit kur erdhi Perandoria, më pas u ndikua nga Perandoria Bizantine dhe më vonë ajo Romake. Pra, ka të gjitha nuancat e këtyre perandorive. Ka edhe pjata të tjera por kjo pjatë është përdorur shumë në Shqipëri, konkretisht në Shqipërinë e mesme”, ka thënë Dursun.

Për t’i dhënë shije kësaj mbrëmjeje në tavolina nuk ka munguar vera, një pije që nuk i mungon tryezave për të shoqëruar gatimet tradicionale.

“Bën të mundur që edhe me këtë aktivitet të thyejmë tabunë që në Shqipëri nuk prodhohet verë e mirë. Përkundrazi, po prodhojmë një verë të shkëlqyer që mund të konkurrojë me verërat e vendeve evropiane”, tha Dashamir Elezi, me profesion somelier.

Festivali i Flimit, përveç gamës së gjerë të filmave që janë shfaqur, kishte si qëllim të bënte bashkë ballkanasit edhe nëpërmjet ushqimit.

Top Channel