Nga Selaniku, që këtë fund javë është i mbushur plot e përplot me policë dhe forca të tjera të rendit, kryeministri grek Antonis Samaras duke hapur Panairin e 79 Ndërkombetar Tradicional që zhvillohet çdo shtator në këtë qytet, ka shpallur për herë të parë pas katër vitesh të mbushura me reforma shtrënguese masa lehtësuese për qytetarët grekë.

“Po dalim nga reçesioni, po dalim nga kriza. Epoka e ndihmave është duke përfunduar”, ka thënë Samaras. Por ai ka theksuar gjithashtu se lehtësimi tatimor që përfshin reduktim të tatimit të naftës për ngrohje me 30%, të një “takse solidariteti” që është shtuar gjatë viteve të krizës dhe të disa taksave në pasuritë e palujtshme, do të bëhen me masa të llogaritura në mënyrë që të mos zbehin sukseset e fundit ekonomike të Greqisë.

“Por të gjitha këto bëhen me kujdes dhe gradualisht, që të mos rrezikohen tepricat primare. Ne kurrë nuk do të lejojmë që vendi të kthehet tek defiçitet dhe borxhet e pamenaxhueshme. Ne nuk do ta lejojmë kurrë vendin apo popullin që të detyrohet dhe të kërkojë borxhe”, ka shtuar Samaras.

Samaras ka deklaruar se në muajt e ardhshëm Greqia do të marrë për herë të parë një garanci zyrtare se borxhi i saj është i qëndrueshëm. Athina pret një konferencë të posaçme të FMN në nëntor të këtij viti, ku do të kërkojë reduktim të konsiderueshëm të borxhit të saj që arrin në 320 miliardë euro, ose shtyrjen afatgjatë të pagesës së tij.

Duke iu referuar sondazheve të fundit që tregojnë se radikalët e majtë të partisë opozitare SYRIZA udhëheqin me një diference prej 4% më shumë se Demokracia e Re, Samaras ka paralajmëruar se, nëse Greqia do të shkonte në zgjedhje të parakohshme, kjo do ishte një vetëvrasje politike pasi do përmbyste gjithçka pozitive që është arritur përgjatë këtij viti në zbatimin e reformave dhe mbështetjes që kreditorët i kanë dhënë Athinës.

Top Channel