Qindra turistë të nacionaliteteve të ndryshme që u ndodhën në qytetin antik të Butrintit, në përfundim të guidës së tyrë për të parë vlerat arkeologjike e historike të sitit pasuri e UNESCO-s, janë surprizuar nga panairi i cili ishte vendosur në platenë e kështjellës veneciane.

Amvisat e Ksamilit kishin sjellë në panair një ndërthurje të kulinarisë nga e gjithë Shqipëria, pasi ato të gjitha vijnë nga krahina të ndryshme të vendit: nga Tepelena, minoriteti grek, Camëria, Vlora, Korça, Labëria, Përmeti, Kukësi, Dibra etj. Ksamili erdhi në këtë panair kulinarie si një mini-Shqipëri.

Ferasete Veliu ka sjellë aromë tradite nga Camëria, sikurse edhe Dhurata Proi nga Konispoli. Sofie Doda solli traditën e gatimit të amvisave nga Dropulli me gatime të veçanta. Nuk mungoi në këtë panair edhe brushtulli, edhe petaniku i Labërisë, bakllavaja çame me 40 petë, qumështori dhe japrakët.

Kreu i Parkut Kombëtar të Butrintit, Gjergji Mano, tha se do të mbështesë çdo iniciativë që promovon resurse të njohura dhe të panjohura të traditës që ndihmojnë në vetvete promovimin e vlerave të trashëgimisë në një mjedis unikal si ky i Parkut Kombëtar të Butritnit.

Sipas drejtuesve, kjo nismë do të ketë vijimësi. Ofrimi i produkteve traditcionale të zonës pritet që gjatë vitit të ardhshëm të vijë si një iniciativë për të krijuar mundësi ekonomike për familjet në nevojë të Ksamilit, por edhe më gjerë në këtë hapësirë të Parkut Kombëtar, të mirënjohur tashmë ndërkombëtarisht prej mijëra e mijëra turistëve nga anë të ndryshmë të globit.

Top Channel