Në alarm ndodhen shërbimet sekrete greke pasi kanë marrë nga SHBA-ja dhe Britania një listë me persona të cilët i përkasin qarqeve myslimane fondamentaliste, cilësohen si tepër të rrezikshëm, në lidhje me xhihadistët dhe ndodhen brenda territorit të Greqisë.

Lajmin e bën të ditur gazeta e së dielës “Proto Thema” me artikullin në faqen e parë të saj “100 të dyshimtë të xhihadit në Athinë”. Sipas saj, ka informacione se disa zona të vendit si Evro dhe Orestiadha në kufij me Turqinë dhe ishulli i Lesvos në Egje, përbëjnë portat e hyrjes dhe të daljes si për shtetas perëndimore me origjinë arabe, ashtu edhe për emigrantët e paligjshëm nga Siria dhe Iraku.

Përveç kësaj, theksohet se janë pikërisht rreth 80 deri në 100 persona që kanë nënshtetësi europiane, por janë me origjine arabe të cilët dyshohen për lidhjet e tyre me ekstremistët islamikë dhe përmendet fakti që disa javë më parë qarkulluan në disa faqe interneti fotografi nga Thiva dhe Athina me persona që mbanin flamurin e zi të shtetit islamik.

Gjithashtu, gazeta që publikon edhe hartën e këtij shteti në Ballkan të quajtur OROBPA i referohet edhe ngjarjes misterioze me një xhihadist shqiptar me inicialet E.D., i cili pasi ka luftuar përkrah islamikëve në Siri është plagosur rëndë në trup dhe në mjekër e është kuruar në gjendje të rëndë në fillim në Turqi dhe më pas në një klinikë private të qytetit të Larisës.

Deri tani thuhet se janë arrestuar tre xhihadistë me pasaportë franceze. Dy prej tyre që kanë hyrë në Greqi pasi janë kthyer nga fronti i luftës civile në Siri dhe janë anëtarë të ISIS-it janë arrestuar pas informacioneve të policisë greke në Francë dhe Itali, kurse i treti në Evro të Greqisë, brenda një kamioni me materiale ushatarake që kishte destinacion Sirinë.

Nga 1 Janari i këtij viti janë arrestuar në kufijtë grekë 1190 sirianë dhe 259 irakenë për arsye që nuk janë bërë të ditura. Sipas gazetës që u referohet burimeve nga Ministria e Rendit, mbi 500 ekstremistë islamikë me pasaporta shqiptare, kosovare dhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë kanë kaluar nëpërmjet Greqisë drejt Sirisë për të luftuar përkrah forcave rebele. Në artikull theksohet se organet greke, me mbështetjen edhe të shërbimeve të huaja, përgjojnë në distancë dhe me shumë kujdes të gjithë personat e dyshuar.

Top Channel