Edhe 23 vjet nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë, shqiptarët vijojnë të jenë ende larg përfaqësimit institucional.

Analisti Kim Mehmeti thotë se në vend ka nevojë për krijimin e një modeli të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe jo për politika anti-shqiptare.

“Shenjë njohëse e këtyre 23 viteve pavarësi për Maqedoninë mund të jetë kërkimi i vetëvetes apo përpjekja e saj për dy ëndrra. Ajo e maqedonasve, që e shohin Maqedoninë si shtet vetëm të tyre; dhe ajo e shqiptarëve, që duan shqipërizmin. Aktualisht shqiptarët e shohin veten rreth boshtit të pamundësisë së faktorizimit politik”, deklaron Mehmeti.

Pavarësisht se lufta ka mbaruar, analisti i njohur vlerëson se ajo vazhdon në forma të tjera, duke përmendur këtu edhe përmendoret e ngritura në Maqedoni në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.

“Qarqe politike maqedonase pas vitit 2001 e vazhduan luftën kundër shqiptarëve me mjete të tjera. Përmes përmendoreve për shembull, duke ngritur vetëm për figura sllave dhe duke paraqitur një Maqedoni vetëm sllave. Kemi një Maqedoni të ndarë etnikisht”, shprehet Mehmeti.

Së fundmi në Maqedoni është thelluar kriza politike për shkak të bojkotit të Parlamentit nga opozita. Ndërkohë që në rrugën e integrimit problem mbetet kontesti i emrit me Greqinë. Në 23-vjetorin e pavarësisë, zyrtarë të lartë shtetërorë kanë bërë thirrje për tejkalimin e këtyre problemeve.

Top Channel