Mirela Khun: Zoti më flet gjithmonë

09/09/2014 00:00

Jeta e saj duket se ka ndjekur gjithmonë shtigjet e ëndrrës. Mirela është lindur në Fier në vitin 1970. Fëmijë i viteve komuniste dhe një e re që do i bashkohej lëvizjeve revolucionare që sollën ndryshimin e madh në vitet ’90.

Ajo ishte studente asokohe në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe në horizontin e saj do të shkelte një dashuri e madhe. Mes trazirave të kohës dhe turbullimeve të shpirtit, lidhja e saj me Teon, studentin e Mjekësisë, kthehet në barrën kryesore të shpirtit të saj.

Dilemat për një dashuri të vërtetë dhe ndikimi i mentalitetit të shoqërisë dhe familjes së saj që kërkonin që vajza të gjente sa më herët fatin e saj lidhën shumë nyje në shpirtin e Mirelës. Ajo ishte vetëm 21 vjeç kur jeta i solli sprovat e para, me një dashuri të madhe por të largët, me një ndjenjë të fortë, por që kundërshtohej nga mentaliteti.

Megjithëse për një vajzë të atyre kohërave ishte shumë e vështirë, Mirela guxoi të kapërcente kufijtë e vendit për të ndjekur të dashurin e saj, të cilin nuk mundi ta kapë dot kurrë. Me thyerjen e zemrës, duke përjetuar zhgënjim dhe humbje, shpirti i saj fillon të marrë përmasa të mëdha dhe të lëshohet drejt horizonteve të reja.

Nëpërmjet predikimeve të ungjilltarëve, ajo gjeti shpresë dhe të ardhme të re në Krishtin. Duke ia besuar zemrën Perëndisë, ajo zgjidhi shumë dilema të jetës së saj, përgjigjet e të cilave i vinin o përmes fjalës së Biblës ose përmes ëndrrave të saj.

Dhe ishte pikërisht një ëndërr që i tregoi se atë e priste një dashuri e re në një tokë të premtuar, ku sot jeton e lumtur me bashkëshortin e saj Majk dhe tre djemtë e tyre. Të gjithë këtë histori kaq të ndjerë, Mirela e ka “zbrazur” në një roman voluminoz.

“Shpenguar prej Krishtit” është një rrëfim që vjen shumë i vërtetë dhe me shumë pastërti për lexuesin amerikan dhe shqiptar.

Top Channel