Të diplomuar, por jo të shkolluar

09/09/2014 00:00

Në prag të fillimit të vitit akademik shkollor, Organizata per Zhvillim dhe Bashkepunim Ekonomik (OECD) ka kryer një studim ndërkombëtar, i cili tregon se edhe personat e diplomuar nuk janë plotësisht të shkolluar.

Me këtë term, hulumtuesit nënkuptojnë që nga standardi i ulët në shkrim dhe lexim, duke arritur dhe në koncepte boshe. Kryesisht brezat e rinj janë pre e këtij fenomeni, – tregon studimi – dhe thuajse një e treta e 25-vjecarëve arrijnë nivel arsimor më të lartë se prindërit e tyre.

Ndërkaq, pjesën e ekselencës e përfaqësojnë shumë pak individë dhe një e katërta është në nivele të mira njohurish, të cilat mund të merren në konsideratë për të fituar një vend pune. Por, sipas OECD, shqetësues është numri i lartë i analfabetizmit, fenomen që po vjen në rritje.

Edhe pse shumë studentë vazhdojnë të investojnë në shkollimin e tyre, raporti tregon se kjo nuk reflektohet në aftësi të mira bazike për ta. Shumë vende të zhvilluara, si Australia, Finlanda, Japonia, Holanda dhe Suedia, janë të prekura në masivitet nga kjo dukuri.

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka standardet më të larta të shkollave, të cilat nuk lejojnë të gjithë personat për të vazhduar karrierën e tyre akademike. Madje, tarifa e lartë e studimeve shpesh ngre barriera te studentët, që nuk e përballojnë dot ekonomikisht dhe që tërhiqen.

Megjithatë, kjo politikë arsimore e anglezëve duket të jetë frytdhënëse dhe, deri diku, shërben si një orientim shumë i mirë për vendet e prekura nga fenomeni ‘kam diplomë, por nuk kam koncepte bazike dhe njohuri të mjaftueshme’.

Top Channel