Vetevrasja, problem shqetesues ne dekaden e fundit

10/09/2014 00:00

Edhe pse mund të jetë krijuar ideja se numri i vetëvrasjeve në Shqipëri është më i lartë tek femrat, përfundimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë treguar se meshkujt janë më të prekur nga fenomeni.

Në raportin e bërë publik një javë më parë thuhet se në vendin tonë gjatë vitit 2012 u vetëvranë 205 vetë, nga të cilët 112 ishin meshkuj dhe 93 femra.

Të dhënat tregojnë se numri më i lartë i viktimave është në grupmoshat mbi 70 vjeç, të cilët zënë 19.3% të numrit total në renditjen e përgjithshme. Ajo që vihet re është fenomeni i rritjes së rasteve në grupmoshat 15-20 vjeç dhe mbi 50 vjeç, grup që disa vite më parë kishte shifra të pakonsiderueshme.

Studimi thotë se pas personave mbi 70 vjeç, numri më i lartë i vetëvrasjeve rezulton të jenë moshat 50-69 vjeç, të ndjekur nga 30-49-vjeçarët.

Në nivel më të ulët fenomeni është tek grupmoshat 5-14 vjeç me 0.8%, por nëse shohim përtej Shqipërisë, situata është tejet alarmante. Prej kohësh OBSH-ja i bie këmbanave të alarmit duke bërë studime të mirëfillta, por duke marrë parasysh vështirësinë metodologjike, puna kërkimore nuk ka qenë e lehtë.

Prej vitesh OBSH-ja mbledh të dhënat duke përfshirë të gjitha vendet e botës. Organizata synon të ndërgjegjësojë dhe të parandalojë me sa mundet, ndërsa ekspertët e shëndetit mendor, nëpërmjet të dhënave, duan të ushtrojnë presion te qeveritë e vendeve anëtare për të sensibilizuar  popullatën.

Beteja me “armikun e padukshëm” që konsiderohet plaga e shekullit të 21 po gjen gjithmonë e më shumë aleatë dhe në vendin tonë.
 

Top Channel