“Çdo 40 sekonda në botë ndodh një vetëvrasje”. Sipas ekspertëve, shifra alarmante ka të ngjarë të rritet dy dekadat e ardhshme. Të gjitha vendet e botës janë prekur nga fenomeni.

Që nga ato më të pasurat me ekonomi të zhvilluar e deri tek vendet e ashtuquajtura të “botës së tretë”. Në shkallë botërore, 50 vitet e fundit shkalla e vetëvrasjes, kryesisht në vendet në zhvillim, është rritur deri në 60%. Sipas statistikave, 40% e vetëvrasjeve ndodhin në Japoni, Indi dhe Kinë, ndërsa dhe Europa ka probleme me statistikat.

Sipas EUROSTAT-it, Bashkimi Europian ka nisur  t’i kushtojë rëndësi të dhënave të OBSH-së nisur kjo nga numri në rritje i shifrave alarmante.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkalla e “aktit final” është rritur në dekadën e fundit, në veçanti ndërmjet viteve 1999-2005. Në qytetin San Diego është zbuluar se 30% e vetëvrasjeve kanë qenë ndër të rinjtë nën moshën 30-vjeçare, të cilët kanë qenë përdorues të kokainës.

Perëndimi është përballur për herë të parë me termin vetëvrasje në shekullin XIII, kohë kur rastet nisën të shtoheshin. Më parë quhej “vrasje” e vetvetes.

Fetë monoteiste, Hebraizmi, Krishtërimi dhe Islami e konsiderojnë vetëvrasjen si mëkat, ndërsa në disa shtete ajo është krim. Disa vende të tjera kanë qëndrime lavdëruese apo edhe deri nderuese, siç është rasti i Japonisë.

Një gjë është e sigurt, asnjë vend në botë nuk është i imunizuar, pavarësisht të ardhurave vjetore apo diferencave kulturore. Që nga Amerika e largët e deri te Japonia, qeveritë janë duke punuar përkrah shoqërisë civile për të frenuar fenomenin.

Top Channel