Historiku i muajit te mjaltit ne Shqiperi

10/09/2014 00:00

“Muaji i mjaltit” tradicionalisht shenjohet si koha e pushimeve të një çifti të sapomartuar. Supozohet se ajo duhet të jetë një periudhë shumë intime që partnerët e kalojnë në vende romantike ose ekzotike si një mënyrë për të celebruar pas martese dashurinë e tyre.

E nëse në botë ky koncept ka filluar të krijohet rreth vitit 1546 në vendet perëndimore, në Shqipëri mund të thuash se nuk është aspak traditë e hershme. Përkundrazi, në vitet e komunizmit të bëje “muaj mjalti” konsiderohej si privilegj i disave. Të mund të siguroje një të tillë duhej leje nga kolektivi i punës, i cili mund të siguronte shumë-shumë një fletë kampi ku çifti mund të kalonte këto pushime ose këtë gjë mund ta bënin edhe bashkimet profesionale.

As që bëhej fjalë për zgjedhje dhe mundësitë ku mund të shkonin të sapomartuarit sigurisht që ishin të kufizuara. Ishin gjithmonë të tjerët ata që bënin zgjedhjen se ku çifti do t’i kalonte këto pushime pasmartesore dhe fat i madh do të qe sikur të sapomartuarit vetëm të mund ta përmbushnin këtë eksperiencë.

Sipas asaj që të tjerët zgjidhnin për ta, vendet ku mund të pushonin ishin gjithashtu të kufizuara. Me lejen e pushimeve të dhënë nga shteti ata mund të shkonin tek hoteli i “Kampit të Punëtorëve” në Durrës, Korçë ose Vlorë. Nëse nuk përmbushej kjo lloj zgjedhjeje, atëherë çifti ose duhet ta kalonte periudhën pas martesës në shtëpi pa bërë “muaj mjalti”, ose do të zgjidhte të shkonte tek ndonjë i afërm i tyre i cili t’i mikpriste për disa ditë.

Top Channel