Muaji i mjaltit, cfare preferojne ciftet shqiptare

10/09/2014 00:00

E konsiderojnë periudhën më të bukur pas martesës. Kohën kur intimiteti, lumturia dhe ëmbëlsia mes një çifti është me doza të mëdha.

Përzgjedhja e vendit se ku të kalohet muaji i mjaltit është shumë i rëndësishëm dhe ndonjëherë edhe i vështirë për të porsamartuarit.

Por cilat janë destinacionet më të preferuara për çiftet shqiptare? Agjencitë turistike, vendi ku “gatuhet” i gjithë plani i çifteve, i dinë mirë dëshirat e tyre.

“Ciftet preferojnë destinacione turistike ekzotike si ishujt Bora-Bora, Tajlandën dhe Sri Lankën. Ndërsa në periudhën e dimrit preferojnë Dubain dhe Sharm el-Sheikun”, thotë Kamela Bela.

Paratë që çifti ka planifikuar për të shpenzuar janë vendimtare dhe për përzgjedhjen. Vendet e afërta ku mund të kalohen pushime të mira dhe ekonomike janë Budva në Mal të Zi dhe Duvroniku në Kroaci.

Ndërsa për ata me mundësi më të mira financiare, vendet e preferuara të momentit janë ishujt: “Aktuale janë Italia, Greqia dhe Spanja. Në Greqi preferohet Korfuzi dhe Santorini. Në Itali kërkohet shumë Sardenja. Në lidhje me Spanjën preferohet Palma de Mallorca dhe Ibiza.”

Mes destinacioneve të zakonshme, ndonjëherë vijnë edhe kërkesa të pazakonta: “Ka pasur çifte që kanë kërkuar të shkojnë në Kubë dhe në Nepal.”

Cfarë u ofrojnë resortet dhe hotelet jashtë vendit atyre që janë në muaj mjalti?

“Sapo shkon në hotel ke një shishe shampanjë, një tufë me lule dhe dhomat janë arreduar në mënyrë të veçantë”, shpjegojnë punonjës të agjencive turistike.
Idetë dhe destinacionet janë të pafundme. Sekreti: mjafton të zgjidhni një vend që nuk mund ta harroni përgjatë gjithë jetës.

Top Channel