“Nata e erret” e Nene Terezes

11/09/2014 00:00

Krizat e besimit u ngre kurth edhe njerëzve, që ia kanë kushtuar jetën pikërisht besimit. Një dëshmi e tillë na vjen nëpërmjet jetës së të madhes Nënë Tereza.

Në librin “Nënë Tereza: Eja drejt dritës sime”, i cili konsiston kryesisht në korrespondencën e Terezës me rrëfyesit e saj dhe eprorët gjatë një periudhe 66-vjeçare, shkruhet se, vetëm pak muaj më përpara se shenjtorja e famshme të nderohej me çmimin ‘Nobel’, në Dhjetor të vitit 1979, ajo kishte kaluar një krizë besimi.

Në një letër drejtuar një rrëfyesi shpirtëror, At Michael van der Peet, ajo shkuante me një mërzi të thellë rreth një Krishti “ndryshe”, njërit që mungonte.

“Jezusi ka një dashuri të veçantë për ju”, i thoshte ajo Van der Peet-it. “Por, për mua, qetësia dhe boshllëku është aq i madh, sa që e kërkoj dhe nuk e shikoj, vë veshin po nuk e dëgjoj, gjuha ime lëviz kur dua të lutem, por nuk arrin të flasë… dua që të luteni për mua. Dua që t’i luteni Atij, që të bëjë çfarë të dojë me mua”.

Në më shumë se 40 komunikime, ajo vajtonte “thatësirën”, “errësirën”, “vetminë” dhe “torturën”, që po përjetonte. Por, po aq shpejt sa ç’binte në pesimizëm, po aq shpejt edhe ripërtërihej në dashurinë dhe forcën që gjente te Zoti.

Një moment të tillë, ajo e ka përshkruar gjatë vdekjes së Papa Piut. Ndërsa i lutej Zotit, kur ai ndërroi jetë, pati një moment takimi me Të. Ajo e ndjeu shumë pranë prezencën e Tij.

Tereza e konsideronte mungesën e Zotit, në momente të caktuara në jetën e saj, si sekretin më të turpshëm, por më pas mësoi se mund të shikohej edhe si një dhuratë, që nxiste përkushtimin dhe thirrjen e saj.

Edhe kisha pranon, që ekziston një periudhë pasive shpirtërore. Në të njëjtën mënyrë, mistiku spanjoll Shën John of the Cross, shpiku në shekullin XVI “natën e errët” të shpirtit, për të përshkruar një fazë karakteristike të lartësimit të disa mjeshtrave shpirtërorë.

Top Channel