Kombëtarja shqiptare e futbollit realizoi një fitore historike ndaj Portugalisë.

Në ndeshjen e parë të eliminatoreve për “Euro 2016”, ekipi shqiptar, megjithëse nuk zhvilloi një lojë të bukur, ia doli të triumfojë ndaj një kundërshtari me emër të madh.

Bekim Bala u bë heroi i takimit, me supergolin e shënuar ndaj portugezëve. Shqipëria është shpallur ekipi më i mirë i javës nga UEFA, ndërsa Mërgim Mavraj, për shkak të paraqitjes mjaft të mirë, u përzgjodh në 11-shen më të mirë të kësaj faze.

***
Ermonela Jaho vazhdon të korrë sukses në operat botërore.

Këtë herë është “Opera e Bastijes” në Paris, që e ka zgjedhur sopranon shqiptare për të çelur sezonin e ri artisik. Ajo performon në rolin e Violetës, te “Traviata”. Këtë rol, këngëtarja lirike e ka interpretuar mbi 200 herë në 20 vite, në teatrot më të rëndësishëm të botës.

***
Michael Schumacher rikthehet në shtëpi. Ai u aksidentua 254 ditë më parë, kur po ushtronte ski në alpet zviceriane.

Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 u kthye pranë familjes, megjithëse gjendja e tij shëndetësore është nën vëzhgimin e rreptë të mjekëve. Schumacher qëndroi në koma për 189 ditë.

***
Një person në Karolinën e Veriut festoi ditëlindjen e tij të 65, duke iu falur kalimtarëve nga një kartmonedhë 5 dollarëshe.

Ky është viti i tretë, që Bob Blackley del në rrugë duke mbajtur një tabelë, ku shkruan: “Unë kam një shtëpi, unë kam një punë, juve mund t’iu duhen 5 dollarë”.

Në këtë mënyrë, Bob ka shpërndarë 800 dollarë për 160 persona.

Top Channel