Bundesliga, Werder ndal kryesuesit

12/09/2014 00:00

Java e trete e Bundesliga-s gjermane ka nisur me një barazim me plot 6 gola. Kryesuesit e Bayer Leverkusen edhe pse luajtën në fushën e tyre nuk arritën të merrnin fitoren e tretë radhazi përball Werder Bremen, pasi ndeshja u mbyll 3-3.

Vendasit e nisën mirë takimin pasi kaluan në avantazh në minutën e 17 pas golit të Jedva, por në shtesën e pjesës së parë miqtë barazuan me anë të Bartels.

Në 45 minutat e dyta u shënuan edhe 4 gola. Në të 60-ën Werder kaloi në avantazh me anë të Di Santo, por nuk mundën të mbanin këtë rezultat gjatë, pasi vetëm pas 3 minutash Calhanoglu barazoi rezultatin.

Vendasit rritën presionin, duke kërkuar fitoren dhe arritën të kalonin edhe një herë në avantazh në minutën e 74, me një gol nga koreano jugori Son Heung-Min.

Kur u mendua që Leverkusen kishte siguruar fitoren e 3 në po kaq ndeshje, Prodl shënoi për 3-3 duke i siguruar ekipit të tij barazimin e tretë radhazi.

Ndeshjet e tjera të javës së tretë në Bundesliga do të luhen të shtunën dhe të dielën, ku spikat ndeshja mes kampionëve të Bayern Munchen dhe Stuttgart, ndërsa Dortmund do të pres në fushën e tij Freiburg. Me interes në këtë javë pritet edhe ndeshja mes Paderborn dhe FC Köln, dy ekipe të cilat kanë në përbërjen e tyre dy lojtarë të kombëtares sonë, Meha dhe Mavraj.

Top Channel