Edhe Greqia do të jetë pjesë e një aleance globale të shteteve kundër ISIS-it.

Lajmi publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme greke, ku theksohet se Athina i është përgjigjur pozitivisht krijimit të kësaj “aleance globale të shteteve”, për të koordinuar përpjekjet ndërkombëtare ndaj Shtetit Islamik, një organizatë terroriste, aktiviteti i së cilës ka shkaktuar zemërim dhe dënohet në mënyrë unanime nga e gjithë bota e qytetëruar.

Gjithashtu, në njoftimin zyrtar thuhet se qeveria greke shpreh solidaritetin e saj ndaj qeverisë së Irakut, të krishterëve dhe të gjitha komuniteteve etnike dhe fetare në rajon, që po vuajnë nga aktet primitive dhe barbare të të ashtuquajturit “Kalifatit Islam”, një organizatë xhihadiste ekstreme, që duhet të eliminohet.

Në këtë propozim, që nga takimi në Cardiff, për një aleancë prej 40 shtetesh – midis të cilave edhe 10 vende arabe, – kanë deklaruar gatishmërinë per pjesëmarrje Britania, Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Danimarka, Turqia, Australia dhe Kanadaja.

Ministria e Jashtme greke nuk jep hollësi të mëtejshme nëse mbështetja e Greqisë do të jetë vetëm politike apo edhe ushtarake, ndërkohë që Presidenti i SHBA-ve, që udhëheqin këtë aleancë, ka dhënë dritën jeshile për një fushatë bombardimesh ajrore ndaj Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, militantët e armatosur të të cilit vlerësohen, në këto dy vende të Lindjes së Mesme, në rreth 31.000 vetë.

Disa ditë më parë, mediat greke bënë me dije se Athina po bashkëpunon ngushtë me Britaninë dhe SHBA-të, të cilat i kanë dhënë Greqisë një listë me rreth 100 xhihadistë apo mbështetës të tyre, që ndodhen në territorin grek dhe që përgjohen dhe ndiqen me kujdes nga shërbimet sekrete të vendit.

Top Channel