Reagime ka shkaktuar një deklaratë tronditëse e shefes së FMN-së, Christine Lagarde, në një intervistë të saj te “Financial Times”.

E pyetur për një kritikë të saj të mëparshme, në lidhje me evazionin fiskal të të pasurve në Greqi, Lagarde është përgjigjur: “Më mirë të mos them shumë gjëra, sepse kur fola në Athinë për çështjen e taksave më kanë bërë kërcënime për jetën dhe u detyrova të përforcoja rojet e mi personalë”.

Lagarde shton se pronarët e anijeve në Greqi nuk paguajnë taksa, duke transferuar kompanitë e tyre jashtë vendit, në mënyrë që t’u shmangen detyrimeve financiare dhe duke gjetur parajsa fiskale në shtete të tjera, një fenomen që nuk vihet re vetëm në shtetin grek.

Megjithëse kanë kaluar 4 vjet, që kur Lagarde, atëherë ministre e Financave të Francës, i kishte çuar Athinës zyrtare një listë me emrat e mbi 2000 qytetarëve grekë, midis tyre shumë persona të klasës politike, mediatike dhe grupeve të biznesmenëve të vendit, të cilët kishin transferuar paratë e tyre në bankën zviceriane “HSBC”, duke kryer në këtë mënyrë evazion fiskal. Ende asnjë prej tyre nuk është thirrur për të paguar detyrimet e tyre financiare, aq më tepër të dënohet në bazë të ligjit.

Greqia, që ka rritur jashtëzakonisht taksat ndaj qytetarëve, është kritikuar shpesh se nuk kontrollon dot të ardhurat e të pasurve të saj. Me gjithë bumin turistik të këtij viti, papunësia në muajin Korrik ka shënuar rritje, fakt që tregon lulëzimin e punës në të zezë, pra edhe mosdeklarimin e taksave nga ky sektor, motori i ekonomisë vendase.

Deklarata e Lagarde vjen vetëm disa orë, pasi agjencia ndërkombëtare ekonomike “Standard & Poor’s” rrit vlerësimin për Greqinë nga niveli B- në B, por duke dhënë shifra tepër të ulta për zhvillimin ekonomik në vitet 2014-2015, që nuk përputhen aspak me parashikimet e Athinës dhe kreditorëve të saj.

Midis rreziqeve të tjera, të përmendura në raportin e cilësuar dhe si një dush skocez për Greqinë, theksohet si dobësi e këtij vlerësimi pasiguria politike e vendit, disa muaj para zgjedhjes së Presidentit, që mund të çojë edhe në zgjedhje të parakohshme.

Top Channel