Tregu energjetik i Europës Juglindore

14/09/2014 00:00

‘Shtrenjtimi i energjisë elektrike përveçse është i jashtëligjshëm, ndikon edhe në zhvendosjen e bizneseve të ndryshme  në vende tjera të rajonit’.

Kështu vlerësoi drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërzhaliu gjatë një konference për paralajmërimin e konferencës ndërkombëtare me temë “Tregu Energjetik Evropa Juglindore 2014”.

Gërxhaliu tha se duhet mbështetur projekte alternative, pasi që burime alternative si dielli, era e biomasa janë të palimituara në Kosovë.

Ndërsa mbajtjen e konferencës ndërkombëtare për energjetikë në Prishtinë, Gërxhaliu e vlerëson si përmirësimin më të madh të imazhit të Kosovës dhe si kontribut në aspektin energjetik në vend.

“Vet fakti që në vitin 2014 kemi pasur një rritje të çmimit të energjisë, dy herë brenda dy muajve. Fakti që kjo ka ndodhur në në këtë periudhë ku po futemi në sezonin e dimrit dhe tarifa duhet të ndryshojë. Konferenca të tjera do të jenë një kontribut i gjetjes së alternativave dhe mbështetjes së proceseve ekonomike në Kosovë”, u shpreh Safet Gërxhaliu, drejtor OEK.

Hamdi Malushaj, organizator i konferencës tha se sektori i energjisë në Europën Juglindore është çelës për rritje ekonomike dhe hapë rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Sektori i ekonomisë në Europën Juglindore është çelës për rritje ekonomike dhe njëkohësisht hap rrugën për integrim europian. Duke pasur parasysh faktin që Europën Juglindore është e pasur me burime energjetike, të cilat do të kishin një rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik përmes investimeve në këtë sektor”, tha Hamdi Malushaj, organizator i konferencës “Tregu Energjetik Europa Juglindore 2014”.

Konferenca “Tregu Energjetik Europa Juglindore”, mbahet më 18 dhe 19 shtator për të tretin vit, me 200 pjesëmarrës, përfaqësues të institucioneve shtetërore, kompani të energjisë, ekspert të energjisë, përfaqësues të asociacioneve nga Brukseli, Gjermani, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Austria dhe Bosnja e Hercegovina.

Top Channel