Apeli liron Fullanin. Golemi mbetet në burg

15/09/2014 00:00

Në orën 18.10 minuta, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani la pas ambjentet e paraburgimit, gati tre orë pasi Gjykata e Apelit ndryshoi në favor të tij masën e sigurimit personal nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpiak’. Nga burgu 302, ish-guvernatori u shoqërua drejt banesës së tij në kryeqytet nga policia.

Dhjetë ditë pasi provoi kufizimin e lirisë në paraburgim, arresti shtëpiak u vendos për Fullanin me një qëndrim unanim nga të tre gjyqtarët e vleftësimit të masës, Alaudin Malaj, Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri.

Trupa gjyqësore, me relator Alaudin Malaj, shpalli se Fullani nuk duhet të lërë ambjentet e shtëpisë sipas këtij vendimi dhe të mos kontaktojë askënd tjetër përveç familjarëve të tij.

Gjatë kësaj seance, avokati i Fullanit, në mbrojtje të klientit të tij rëndoi pozitat e ish-guvernatores së parë Elisabeta Gjoni, kur tha se edhe pse nuk ishte propozuar emri për zv.guvernatorin e dytë, ky vend nuk mund të konisderohet vakant pasi sipas rregullores, kompetencat për kontrollin e Departamentit të Emisionit i kishte në fakt zonja Gjoni, aktualisht guvernatore në detyrë.

Avokati rëndoi edhe Këshillin Mbikëqyrës kur e konsideroi Ardian Fullanin si mes të barabartëve sikurse anëtarët e këtij këshilli, përsa kohë prokuroria e dyshon atë se duhet t’u kishte propozuar atyre rregullime ligjore.

U rënduan po ashtu edhe pozitat e ish-drejtorit të Departamentit të Emisionit, Dorian Collakut, i cili sipas mbrojtjes duhej të propozonte akte nënligjore për mirëfunksionimin e këtij seksioni. Ish-guvernatori shtoi se gjatë 30 viteve si bankier, por edhe 10 viteve në detyrën e guvernatorit kishte punuar me pasion dhe në respekt të ligjit.

“Ngjarja e rëndë ishte një rrufe në qiell të pastër, por ajo është një ngjarje e shkëputur dhe mund të ndodhë kudo. Departamenti i Emisionit funksiononte me rregullore”, e mbylli fjalën e tij Fullani.

Nga ana e tij, prokurori Nezir Gjoka përmendi edhe dëshmitë e dy anëtarëve të këtij keshillit, Dhori Kule dhe Ermelinda Meksi, që kanë deklaruar para prokurorit të Tiranës se i kishte kërkuar në rrugë jo formale guvenratorit të propozonte zv.guvernatorin e dytë, gjë cila nuk ka ndodhur.

Pas shpalljes së vendimit, avokati Maks Haxhia u shpreh i pakënaqur me masën dhe njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë. “Nëse do klasifikohet për ndonjë përgjegjësi administrative ose penale, ai nuk mund të ndahet nga Këshilli Mbikëqyrës, sepse ky këshill është një organ kolegjial dhe ashtu siç funksionon për një anëtar funksionon edhe për të tjerët”, tha Haxhia.

Por ndërsa ish-guvernatori fitoi nga bujaria e gjykatës, e hëna nuk ishte ditë me fat për ish-inspektoren e përgjithshme Elivar Golemi. Ajo u la në ‘arrest me burg’ edhe pse theksoi se kishte qenë në dispozicion të prokurorisë dhe se materialet që prokuroria i përdori për hetimet ua kishte vendosur ajo në dispozicion.

“Auditi, me sa di unë, nuk është kryer as në 2008, 2009 dhe deri më 2011, kur unë mora detyrën. Përse ngarkohem unë me përgjegjësi kur kam punuar me devotshmëri”, tha zonja Golemi.

“Çdo çështje, gjetje, rekomandim që është adresuar gjatë periudhës që kam drejtuar Departamentin e Kontrollit ndodhet i përfshirë në këto raportime. Kur Këshilli Mbikëqyrës e ka parë të nevojshme më ka kërkuar serverin. Në asnjë herë të vetme, deri në korrik, nuk kam pasur kërkesë për takim pa administratorin. Rasti i vetëm është kur anëtarja e KM, Ermelinda Meksi, në korrik 2014, bëri një kërkesë me email ku kërkonte të takoheshim pa praniën e administratorit. Kam për detyrë të raportoj në Këshillin Mbikëqyrës çdo tre muaj dhe të gjitha raportimet gjenden në protokollin e sekretarisë së këtij këshilli”, tha ish-inspektorja e përgjithshme.

Gjykata e Apelit gjatë ditës la në fuqi vendimet e shkallës së parë me ‘arrest shtëpie’ për ish-inventarizuesit Ilir Dedja dhe Fatbardha Gurthin, ndërsa ndryshuan vendimet për kolegët e tyre Bahri Allushi dhe Gentian Jahja, për të cilët u vendos nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel