Champions, fituesi shpërblehet me 37,4 mln euro

15/09/2014 00:00

UEFA ka prezantuar më në fund sistemin e shpërndarjes së të ardhurave për Champions League.

Secili prej 32 klubeve, pjesëmarrëse në fazën me grupe, do të kenë të drejtën për një shpërblim prej 8,6 mln euro, ndërkohë që fituesi i trofeut do të arkëtojë plot 37,4 mln euro, si dhe bonuset e ardhura si pasojë e të drejtës televizive.

Në total, UEFA ka vendosur më shumë se 900 milionë euro shpërblime, të ndara në 500 mln euro nga kontributet fikse dhe 410 mln të siguruara nga transmetimi i ndeshjeve.

Vitin e kaluar, skuadrat finaliste Real dhe Atletico Madrid, kanë ndarë mes tyre 40 mln euro të ardhura prej të drejtës televizive të transmetimit të ndeshjes së Lisbonës.

Ndërsa çdo skuadër do të ketë gjithashtu bonuset e zakonshme në lidhje me performancën në fushë: 500 mijë euro për çdo barazim dhe 1 mln euro për çdo fitore. Ai që do të mund të shkojë drejt 1/8-ave (gjashtëmbëdhjetësheve) do të marrë 3,5 mln euro, kurse në çerekfinale plot 4 mln. Për 4 gjysmëfinalistët do të shpërndahen nga 5 mln secili.

Sa i përket finales, që do të zhvillohet më 6 Qershor 2015 në Berlin, humbësi do të marrë 6,5 mln euro, kurse fituesi 10,5 mln euro.

Ndërsa për Europa League ka një tjetër përllogaritje: secili prej 48 pjesëmarrësve në fazën me grupe marrin nga 1,3 mln euro. Fitorja vlen 200 mijë euro, ndërsa barazimi në grupe sa gjysma e fitores. Fituesi i trofeut do të marrë 9,9 mln euro, shto këtu edhe të drejtat televizive.

Top Channel