Pavarësia e Skocisë ndan yjet

16/09/2014 00:00

Referendumi për pavarësinë e Skocisë, që do të mbahet më 18 shtator,
ndan yjet e botës së artit dhe sportit, me shumë VIP-a që kanë zbritur
në fushë për të dhënë qëndrimet e tyre.

Gjithçka nisi vite më parë me Sean Connery, aktori i madh skocez që ishte ndër të parët që u shpreh hapur pro pavarësisë së Skocisë.

Me kalimin e viteve, frontet kundërshtare janë pajisur me fytyra të njohura që kanë zënë faqet e para të revistave, të cilët kanë dhënë apelet e tyre, dikush pro e dikush kundër pavarësisë.

I papritur ka qenë qëndrimi i David Bowie, që ia besoi apelin e tij Kate Moss. Shkurtin e kaluar modelja angleze u ngjit në skenën e Brit Awards dhe me kërkesë të këngëtarit lëshoi mesazhin: “Skoci, qëndro me ne”.

Duke qëndruar në botën muzikore, “jo” pavarësisë duket se janë edhe legjenda të tjera si ish-anëtarë të Beatles apo dhe anëtarë të Rolling Stones, të gjithë anglezë.

Paul McCartney iu bashkua firmëtarëve të asaj që u cilësua një “letër dashurie për Skocinë”, e nënshkruar nga shumë yje nën sloganin “Të qëndrojmë së bashku”.

Më parë, të njëjtën gjë kishte bërë edhe miku i tij rival, Mick Jagger. Mes të tjerëve në të njëjtën linjë spikasin aktorja Judi Dench, futbollisti David Beckham dhe shkencëtari Stephen Hawking.

Për shkrimtaren JK Rowling, lindur në Angli, Skocia është shtëpia e saj. Ajo jeton në Edimburg dhe pikërisht në kryeqytetin skocez i ka dhënë jetë magjistarit Harry Potter.

Por shkrimtarja ka bërë më shumë se sa thjesht rreshtimi përkrah kundërshtarëve të shkëputjes, duke dhuruar 1 milion stërlina për fushatën “Better Together”, ose “Më mirë së bashku”.

Por mes atyre që mbështesin opsionin e kundërt ka figura jo më pak të njohura, mes të cilëve spikasin aktori Gerard Butler, që mbështet hapur pavarësinë, si dhe Alan Cumming, i njohur për interpretimet e tij.

Edhe në rastin e këtij referendumi ekziston e ashtuquajtura “zona gri”, ku bëjnë pjesë të pavendosurit. Ndër emrat më të njohur që bëjnë pjesë në këtë zonë janë këngëtarja Annie Lenox dhe tenisti Andy Murray.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel