Greqisë i rikthehet dorëshkrimi i çmuar

16/09/2014 00:00

Një dorëshkrim i çmuar i shekullit XII, që i përket Epokës Bizantine dhe
i vjedhur 54 vjet më parë, i është kthyer Greqisë nga muzeu Paul Getty
John në Shtetet e Bashkuara.

Objekti do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Bizantin të Athinës për rreth një muaj, derisa të kthehet aty ku është marrë në vitin 1960, në bibliotekën e manastirit Dionisiou, në malin e Shenjtë.

Ky thesar kulturor, me vlera të jashtëzakonshme, është një dorëshkrim i ilustruar i katër ungjijve, i Dhiatës së Re, i krijuar në Konstandinopojë në vitin 1133 nga shkrimtari Theoktistos.

Sipas Ministrisë së Kulturës, ai i përket një epoke të krijimit të dorëshkrimeve të shquara luksoze për kohën, shpesh të destinuara për anëtarët e familjes Komnenos, apo manastiret e mëdha të Konstandinopojës. Ai i përket rreth 16.000 dorëshkrimeve të ruajtura në manastiret e malit Athos, në Greqinë veri-lindore.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kryeministri grek Antonis Samaras, që ka theksuar në fjalën e tij se muzeu amerikan i ka kthyer Greqisë edhe objekte të tjera të rëndësishme kulturore të marra në mënyrë të paligjshme dekadat e kaluara.

“Duke përfituar nga ky riatdhesim i dorëshkrimit doja të theksoja përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë së Kulturës për të identifikuar pretendimet që ka Greqia me saktësi shkencore dhe të besueshme, në kthimin e thesareve të trashëgimisë kulturore që jane zhdukur në mënyrë të paligjshme nga toka greke. Rezultatet tregojnë se përpjekjet tona shpërblehen vazhdimisht”, u shpreh Samaras.

Në dekadën e fundit Greqia ka nisur një fushatë të madhe për të riatdhesuar antika, artifakte dhe objekte kulturore greke të vjedhura që ndodhen në muze të ndryshëm të botës.

Në veçanti, autoritetet helene janë duke i kushtuar një vëmendje të veçantë rikthimit të mermereve të Partenonit, që ndodhen në Muzeun Britanik të Londrës, të cilat janë marrë nga Lord Elgin prej Tempullit të Partenonit në Akropol, në fillim të shekullit XIX.

Top Channel