Sa “pak” për të shpëtuar botën

16/09/2014 00:00

Nëse dështojnë në frenimin e ndryshimeve klimaterike, politikanët do të vënë në rrezik të gjithë ekonominë botërore.

Por, kostoja e ndërhyrjes nuk është aq e madhe sa ç’mund të mendohet, përkundrazi për Komisionin global të Ekonomisë dhe Klimës ajo mund të konsiderohet modeste.

Organizmi në fjalë, një grup drejtuesish ekzekutivë, ish-kryeministrash dhe ministrash të Financave, pretendon se po t’i shtohen 5% shumës prej 6 trilionë dollarësh në vit të shpenzuar për energji dhe projekte transporti, mund të blihet teknologji e pastër.

Për kritikët, raporti është ca si shumë optimist. Megjithatë, paneli i kryesuar nga ish-Presidenti i Meksikës, Felipe Calderon, me këshilltar Lordin Sten, ish-ekspert ekonomie pranë qeverisë britanike, argumenton se një prej hapave kyçe drejt mbrojtjes së klimës është ndryshimi i prioriteteve të shpenzimeve për infrastrukurën e re.

Krijimi i qyteteve të mbytura në smog e të varura nga makina që mbushin rrugët, mund të zëvendësohet me planifikimin e qyteteve me hapësirë të bollshme e një sistem të mirë të transportit publik, çka do të ndihmonte reduktimin e emetimit të gazeve shkaktarë të efektit serë; do të ulte ndotjen lokale e do të përmirësonte cilësinë e jetës, thonë ekspertët.

Nëse veprohet në këtë mënyrë, sipas tyre, qeveritë do të mund të kursejnë së bashku 3 trilionë dollarë gjatë 15 viteve të ardhshme. Kostoja e përpjekjeve për frenimin e ndryshimeve klimaterike besohet të ketë rënë, për shkak të përmirësimit të teknologjisë.

Çmimi i energjisë së përftuar nga era, apo panelet diellore, është tkurrur, ndërsa ndotja nga karburantet fosile, nga ana tjetër, e ka zvogëluar prodhimin ekonomik global me 4%.

Top Channel