Referendumi skocez, Londra premton më shumë decentralizim

16/09/2014 00:00

Palët pro dhe kundër pavarësisë në Skoci vijojnë fushatën për tërheqjen e sa më shumë mbështetësve në votimin e cilësuar historik që mbahet më 18 shtator.

Debati është zhvendosur mbi zotimin e tre partive kryesore në Londër. David Cameron, Ed Miliband dhe Nick Clegg nënshkruan një pak ku premtojnë më shumë decentralizim në Britaninë e Madhe duke i dhënë më shumë pushtet atyre drejtuesve të shteteve të veçanta.

Mbështetësit e pavarësisë e cilësojnë ofertën e Londrës si një fyerje dhe ngrenë pyetjen se përse një ofertë e tillë mbërriti kaq vonë dhe pikërisht para referendumit skocez? Kundërshtarët e pavarësisë vlerësojnë premtimin e Londrës si një vizion rreth të cilit mund të bashkohet edhe Skocia.

Baza e marrëveshjes së udhëheqësve britanikë qendron në tre pika; zgjerimi i pushtetit për parlamentin skocez, një reformë në skemën e shpërndarjes së investimeve dhe burimeve njerëzore dhe dhënien e fjalës së fundit për qeverinë skoceze sa i përket asaj që njihet si NHS, ose fondi për shëndetësinë.

Aktivistja pro pavarësisë, Nicola Sturgeon e cilësoi joserioz propozimin dhe tha se e vetmja rrugë për t’u siguruar skocezëve mundësinë që të vetqeverisen për një të ardhme më të mirë, është një votë “pro”.

“Nëse vërtet ka një qëllim serioz për të zgjeruar pushtetin për parlamentin dhe qeverinë skoceze, atëherë përse ky qëllim nuk është zbatuar më parë, por propozohet pikërisht tani?”, tha për BBC Sturgeon.

Më herët në debatin pro dhe kundër ndarjes u përfshi edhe vetë Presidenti amerikan, Barack Obama. Uashingtoni mbështet zgjedhjen e lirë të skocezëve, por jo pavarësinë duke thënë se për të mbetet jetik ruajtja e unitetit dhe forcimi i mëtejshëm i një aleati kyç siç është Britania e Madhe.

Top Channel