Ukrainë, autonomi dhe amnisti për rebelët

16/09/2014 00:00

Parlamenti ukrainas miratoi ligjet që i garantojnë autonomi të zgjeruar rajoneve lindore të vendit dhe amnisti të gjithë rebelëve separatistë pro-rusë që i janë kundërvënë autoritetit të Kievit prej muajsh me radhë.

Lëvizja shihet si një përpjekje e qeverisë ukrainase për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të vendit që i ka marrë jetën më shumë se 3 mijë personave dhe ka zhvendosur mijëra të tjerë.

Aktualisht në rajonet e Luhanskut dhe Donetskut është në fuqi një armëpushim pa afat i rënë dakort më herët mes palëve. Armëpushimi mbërriti pas propozimit të presidentit Petro Poroshenko gjatë takimit të Grupit të Kontaktit ditë më parë në Minsk të Bjellorusisë.

Masat e votuara nga parlamenti të martën janë pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe i hapin dritën jeshile autonomisë së zgjeruar për Luhanskun dhe Donetskun.

Sa i takon amnistisë, ajo u garantohet të gjithë drejtuesve dhe ushtarëve separatistë në Luhansk dhe Donetsk duke përjashtuar vetëm autorët e rrëzimit të avionit të Malaysia Airlines në muajin korrik.

Ukraina dhe Perëndimi besojnë se fluturimi MH17 u rrëzua nga rebelët me raketa anti-ajrore ruse. Ata akuzojnë Moskën për mbështetje të vazhdueshme me armatime të sofistikuara dhe luftëtarë për rebelët, por si këta të fundit ashtu edhe Moska mohojnë akuzat.

Ligjvënësit ukrainas kanë ratifikuar po të martën edhe marrëveshjen kufitare me BE-në, që nga ana tjetër është ratifikuar në të njëjtën kohë në një sesion të Parlamentit Evropian.

Të dyja palët i nisën proçedurat në orën 10 me orën lokale. Pak orë para votimit, presidenti ukrainas Petro Poroshenko e cilësoi të martën një ditë historike.

Top Channel