“Rusia të përforcojë trupat në Krime”

16/09/2014 00:00

Rusia duhet të përforcojë trupat në Krime, për shkak të krizës në Ukrainë dhe mbledhjes së trupave të huaja ushtarake pranë kufirit, ka bërë të ditur ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Ai tha se Rusia duhet të dërgojë një forcë ushtarake “të plotë dhe të pavarur” në Krime, një rajon i aneksuar gjatë muajit Mars nga Ukraina.

Rebelët pro-rusë në Lindje të Ukrainës nisën kërkesat e tyre për mëvetësim nga Kievi, menjëherë pas aneksimit nga ana e Moskës.

Që prej vendosjes së paqes, më 5 Shtator, grupet e rebelëve janë vendosur pranë Mariupolit, një qytet-port i rëndësishëm në rrugën kryesore drejt Krimesë.

Politikanët ukrainas kanë shprehur frikën se Rusia mund të përpiqet të lidhë rebelët në Lindje të Ukrainës me Krimenë, një lëvizje që do të përfshinte edhe pushtimin e Mariupolit.

Aktualisht, gadishulli i Krimesë nuk ka një kufi tokësor me Rusinë, por ekziston vetëm një ngushticë e vogël në Kerch.

“Situata në Ukrainë është përkeqësuar dhe prezenca e ushtrive të huaja është rritur pranë kufijve tanë”, është cituar të ketë thënë ministri Shoigu, në një takim me komandantë të lartë ushtarakë.

Rreth 1300 ushtarë nga 15 vende, përfshi Shtetet e Bashkuara dhe anëtarë të NATO-s, janë duke zhvilluar stërvitje ushtarake në Lviv, në Perëndim të Ukrainës. Shoigu nuk iu referua ekzaktësisht atyre.

Edhe raportimet e medias ruse nuk specifikojnë se çfarë forcash shtesë synon Shoigu të dërgojë në Krime. Por, Rusia dërgoi me mijëra ushtarë shtesë në gadishullin me dalje në Detin e Zi në Mars, ku persona të armatosur dhe me kamuflazhe pa shenja identifikuese bllokuan bazat ukrainase atje, duke detyruar më pas Ukrainën të tërhiqej.

Veprimet e Rusisë sollën dënimin ndërkombëtar, pasi Krimeja ishte pjesë e Ukrainës që prej vitit 1954, ndërsa më parë kishte qenë nën udhëheqjen ruse.

Top Channel