Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, në një
intervistë ekskluzive për Top Channel ka dënuar organizatën ISIS dhe
luftën në Irak dhe Siri, që ajo bën në emër të fesë islame.

“ISIS, fatkeqësisht po dëmton islamin, imazhin e tij, më tepër sec duhet. Ajo që po ndodh atje nuk është njerëzore, është dicka totalisht jashtë botëkuptimit fetar, jashtë vlerave që islami përcjell”, thotë Bruçaj.

Sipas mediave europiane, numri i shqiptarëve që i janë bashkuar luftës së kësaj organizate është mbi 100. Kryetari Bruçaj ka renditur disa shkaqe që i shtyn ata t’i bashkohen ISIS, ndërkohë deklaron se vazhdon puna e imamëve nëpër xhamitë e vendit për të informuar më mirë besimtarët shqiptarë, per ate çka eshte realisht kjo lufte dhe ISIS, si organizate terroriste.

“Nëse shikojmë profilin e atyre besimtarëve që kanë shkuar atje, është një profil me probleme sociale, individuale, ekonomike. Ata nuk mund të shkojnë në emër të fesë, nuk mund të jetë islami burimi i motivimit për të shkuar atje. Ne si institucion, në bashkëpunim me imamët dhe me xhamitë, ne kemi bërë shpeshherë thirrje nëpër predikimet tona për t’i informuar dhe sensibilizuar besimtarët myslimanë që të rrinë larg ndikimeve të këtyre individëve, që në emër të fesë duan të përcjellin një përfaqësim radikal të islamit, ose duan të manipulojnë një grup besimtarësh, që ndoshta nuk është i mirënformuar për parimet kryesore të fesë, për t’i përdorur për qëllime të ndryshme. Një nga ato qëllime është për t’i dërguar për të luftuar në Siri, ose në Irak, sic është rasti konkret”, thotë Bruçaj.

Kërkohet heqja e pezullimit për universitetin “Bedër”

Kontrolli i Qeverise mbi universitete çoi ne pezullimin e licences edhe per universitetin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ‘Hena e Plotë Bedër’. Duke e konsideruar kete nje mundesi per te pergatitur teologe ne Shqiperi dhe jo me ne shkollat arabe ku me se shumti te rinjte bien ne kontakt me rrymat ekstreme te islamit, kreu i Komunitetit Mysliman kerkon rikthimin e aktivitetiti te kesaj shkolle

“Shpresoj që ky pezullim që është bërë të hiqet sa më parë, që ne të kemi mundësi, që nevojat që kemi për burime njerëzore t’i përmbushim këtu në Shqipëri. Teologët shqiptarë të jenë sa më afër atyre vlerave që ne duam të promovojmë”, thotë Bruçaj.

Top Channel