Italia rrezikon zgjedhje të parakohëshme

16/09/2014 00:00

Italia rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohëshme nëse dy dhomat e parlamentit nuk kalojnë reformat e propozuara dhe të kërkuara me ngul nga qeveria dhe kryeministri Mateo Renzi.

Qeveria Renzi ka propozuar një sërë reformash drastike që prekin kryesisht drejtësinë dhe punësimin si përpjekje për të vendosur në baza të qendrueshme rritjen ekonomike të Italisë, rritje e cila pak ditë më parë u vlerësua si më negativja në Europë nga një raport i OSBE-së.

Vendi mbetet ende në ujëra të trazuara dhe pavarësisht masave të marra deri më tani kriza financiare që e përfshiu nuk është hedhur plotësisht pas krahëve.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe në veçanti Gjermania kanë kërkuar të tjera masa nga Roma duke ndjekur shembullin e Madridit.

“Duhet të rivendosim ekonominë italiane në binarë. Jam gati të rrezikoj mazhorancën për reformat dhe masat e nevojshme”, deklaroi Renzi, ndërkohë që në Senat pasi ripërsëriti të njëjtin qendrim tha se nuk përjashton mundësinë që t’u drejtohet zgjedhjeve të reja.  

Top Channel