ISIS paralajmëron Amerikën për sulme

16/09/2014 00:00

Një mbështetës i militantëve të Shtetit Islamik ka paralajmëruar për sulme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, nëse vazhdojnë të ndërmarrin veprime ushtarake kundër grupit, që ka pushtuar pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë, ka bërë të ditur shërbimi monitorues SITE.

Mesazhi, i dhënë në një forum të njohur online të militantëve islamik, është një nga pak përgjigjet e mbështetësve të Shtetit Islamik ndaj njoftimit të Uashingtonit, javën e kaluar, se është përgatitur tashmë të zgjerojë bombardimet nga ajri ndaj këtij grupi edhe në Siri.

Postimi në faqen e internetit Minbar Jihadi Media dënon “ndërhyrjen në çështjet e popujve të tjerë” dhe thotë se do të nxisë një përgjigje të ngjashme, bëri të ditur SITE mbrëmjen e së hënës.

“Veprimet e tyre do të çojnë në një reagim të barabartë dhe të së njëjtës forcë, që do të shënjestrojnë Amerikën në thellësi dhe kombet aleate me ta, në të gjitha aspektet e mundshme”, thuhej në mesazhin e përkthyer nga arabishtja, sipas SITE, një shërbim që ndjek të gjitha forumet e militantëve.

Shtetet e Bashkuara kanë përshkallëzuar përgjigjen ushtarake ndaj grupit ekstremist, që ka ekzekutuar me prerje koke disa pengje. Të dielën, Shteti Islamik publikoi edhe videon e tretë, që tregonte ekzekutimin e një punonjësi britanik ndihmash sociale.

Presidenti amerikan Barack Obama ka bërë thirrje për një koalicion të vendeve të Perëndimit dhe të Lindjes së Mesme, për të luftuar Shtetin Islamik.

“I drejtoj një paralajmërim tepër të ashpër cilitdo prej kombeve të përfshira në sulmet e Amerikës, apo që janë aleatë të tyre, në luftën e tyre kundër kalifatit islamik, se interesat e tyre vendase dhe ndërkombëtare do të jenë shënjestra jonë legjitime”, thuhej në mesazhin e mbështetësit, i cili njihet si “Amir al-Thul”.

Postimi në fakt përdorte një gjuhë fetare dhe dukej sikur autori po fliste nga një “foltore të bekuar”, por ende nuk dihet se çfarë influence ka ky person ndaj veprimeve të Shtetit Islamik. Mesazhi u bënte thirrje popujve amerikanë dhe aleatë të tyre, të kundërshtonin veprimet e qeverive të tyre kundër grupit islamik.

Top Channel