Sulmet amerikane kundër ISIS

16/09/2014 00:00

Nëse strategjia aktuale e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër militantëve të Shtetit Islamik dështon, atëherë do të duhet të dërgohen trupa ushtarakë në terren. Kështu është shprehur Gjenerali amerikan Martin Dempsey.

Presidenti Obama ka përsëritur disa herë se trupat amerikanë nuk do të kenë ndonjë mision luftarak në Irak, bazuar mbi strategjinë e detajuar gjatë javës së kaluar.

SHBA-të kanë zhvilluar gjatë orëve të para të së martës sulmin e parë ajror nën strategjinë e re, që synon të “degradojë dhe shkatërrojë” Shtetin Islamik. Ndërkohë, “Peshmerga”-t kurdë, të mbështetur nga avionë survejimi dhe dronë amerikanë po avancojnë gjithashtu drejt pozicioneve të ISIS në veri të Irakut.

Gjeneral Dempsey tha se besonte që koalicioni ndërkombëtar kundër ISIS ishte “hapi i duhur përpara”, që mund të ndërmerrej aktualisht. Megjithatë, ai tha se “nëse ky hap dështon, dhe nëse ka ende kërcënime ndaj Shteteve të Bashkuara, atëherë unë do të shkoja sërish te Presidenti dhe t’i rekomandoja përdorimin e trupave tokësorë të ushtrisë amerikane”.

Ai konfirmoi se bazuar mbi këtë plan, këshilltarët ushtarak amerikanë do të ndihmojnë ushtrinë irakene të planifikojë sulme ndaj ISIS. Por, në rrethana të caktuara, ata mund edhe të shoqërojnë trupat irakene.

Hagel: “Ekzema” ISIS, kërcënim ndaj atdheut

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, si dhe Gjeneral Martin Dempsey, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, paralajmëruan gjatë së martës Kongresin në lidhje me kërcënimin e paqartë që përbën ISIS.

Shteti Islamik në Siri dhe Irak po brutalizon prej javësh popujt në atë rajon. Ata kanë vrarë 3 gazetarë të Perëndimit dhe kanë publikuar videot e ekzekutimit të tyre.

Hagel tha se nëse “plaga” e ISIS lejohet të “acarohet” (qelbëzohet), atëherë do të përbëjë një rrezik të madh edhe për “kombin tonë”.

Shtetet e Bashkuara kanë nisur një ofensivë sulmesh ajrore kundër ISIS prej pak javësh.

Hagel tha se është “veçanërisht e rëndësishme të korret sukses” në mposhtjen e ISIS, dhe se popujt që jetojnë në Lindjen e Mesme të jenë “të pranishëm” në luftimet kundër grupit të militantëve ekstremistë.

Hagel, i pyetur se sa i fortë është ISIS, është përgjigjur se “është shumë e vështirë të përcaktohet në çdo moment”.

Hagel hamendësoi se aftësitë e ISIS janë “domethënëse”. Disa prej njerëzve që i janë bashkuar ISIS-it, e kanë bërë për shkak se janë detyruar ta bëjnë, pasi ISIS ka kërcënuar jetët e tyre apo familjarëve të tyre, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Top Channel