1 në 9 persona të uritur, në mbarë botën

16/09/2014 00:00

Një raport i përvitshëm nga Kombet e Bashkuara, i publikuar gjatë së martës, përllogarit se rreth 805 milionë njerëz vuajnë nga mosushqimi, apo ushqimi i vazhdueshëm nën normat e duhura.

Organizata për Ushqimin dhe Agrikulturën në OKB paralajmëroi se pasiguria ushqimore mbetet “papranueshmërisht e lartë” në disa prej vendeve me ekonomi në zhvillim.

Për shembull, më shumë se 1 në 4 persona (25%) në Afrikën nën-Sahara nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë. Në Malavi, gjysma e të gjithë fëmijëve nën 5 vjeç janë ndjeshëm nënpeshë.

Situata është veçanërisht akute në Jemen, ku paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike, ashtu sikurse dhe konflikti i dhunshëm, e kanë bërë vendin arab si një prej kombeve më të pasigurt për ushqimin në botë.

Raporti thotë se 526 milionë njerëz në Azi, kontinenti më i populluar në botë, nuk kanë mjaftueshëm të hanë.

E megjithatë, në përgjithësi ka pasur një përmirësim nga viti i kaluar, kur raporti tregonte se rreth 842 milionë njerëz ishin të uritur. Që prej vitit 1990, numri i njerëzve të paushqyer mirë në botë ka rënë me më shumë se 200 milionë.

Aksesi ndaj ushqimeve është përmirësuar në disa pjesë të Azisë Lindore dhe Jugore, ashtu sikurse dhe në Amerikën Latine dhe Karaibe.

Top Channel