Shqiptari, që u “dhuron” zemrën falas italianëve çdo pasdite

16/09/2014 00:00

Tashmë ai është i njohur. Prej disa muajsh, për të dhe nismat e tij të bamirësisë kanë shkruar mediat italiane, ndërsa gëzimin për të ndarë të mirat me të tjerët e ka përcjellë edhe ai vet, përmes një lidhjeje në Pasdite në Top Channel.

Lulzim Vulashi, 36-vjeçari me origjinë shkodrane dhe banim në Itali, fitoi shumë vëmendje dhe simpati nga Marsi i këtij viti, kur shpalli përmes biznesit të tij, një dyqan buke dhe ëmbëlsirash, nismën për t’u dhënë bukë falas për gjashtë muaj radhazi nënave me të sapolindur. Gjë që, atë e ktheu në një nga personazhet më të dashur të qytetit italian, ku i riu ka emigruar prej 1995-s.

Por Luli, siç bashkatdhetarët e tij e thërrasin, ka menduar t’iu rikthejë sërish mirënjohjen qytetarëve të Firences, me një tjetër gjest human. Me çeljen e vitit të ri shkollor në Itali, i riu ka vendosur të shpërndajë ëmbëlsira dhe ushqime falas për fëmijët e kopshteve dhe shkollave fillore. Për një muaj me radhë, vogëlushët mund të ndalen pranë dyqanit të furrtarit, për t’u ushqyer ose ëmbëltuar me prodhimet e “Pane Amore e Fantasia”.

Janë të shumtë frekuentuesit e këtij dyqani dhe shumë italianë madje janë bërë pjesë e klientelës së tij, jo vetëm për prodhimet e shijshme dhe cilësore, por edhe për klimën pozitive, që i riu shqiptar përcjell tek ata.

Ndërsa Luli nuk ndalet të promovojë biznesin e tij të vogël, por me zemër të madhe. Ai thotë se fëmijët janë dobësia e tij. Edhe pse vet ende nuk ka asnjë pasardhës, dyqani i tij së fundmi po popullohet gjithnjë e më tepër nga gumëzhimat e fëmijëve, që nxitojnë të shijojnë diçka nga prodhimet e tij.

Lulzimi nuk e ka ndalur ritualin e tij të bamirësisë që prej vitit 2007, kur ai nisi të shtrojë darka falas për të pastrehët një herë në muaj, gjë që vazhdon ta bëjë ende. Ndërsa gëzimin për të ndarë vazhdon ta zgjerojë e ta kthejë në një strehë, ku bujaria për të tjerët nuk i njeh ndasitë kombëtare.

Top Channel