Kanë kaluar tre vjet nga vdekja e Juxhin Guzës, e dhimbja në familjen e tij vetëm shtohet. 13 Shtatori mbetet dita më e errët për këtë familje.

Ishte viti 2011, kur dy të rinj, në tentativë për ta grabitur, sulmojnë me thika 24-vjeçarin, duke i shkaktur vdekjen disa orë më vonë, në spitalin e Durrësit.

Të shtunën e 13 Shtatorit u bënë tre vjet, që familja nuk e ka më djalin e vetëm. Miq dhe të afërm e vizitojnë vendin e tij të prehjes, duke i kujtuar atij që nuk e harrojnë kurrë.

Lule, lot dhe dhimbje për nënë Irmën, baba Luanin dhe motër Rozalbën.

Të gjithë e kujtojnë Juxhinin, si djalin e ëmbël, gjithmonë të qeshur e plot jetë.

Në familjen Guza, fotot e Juxhinit gjenden kudo. Medaljet dhe kupat e fituara me ekipin e Teutës janë gjurmë të paharrueshme për volejbollistin e talentuar.

Prej asaj nate të tmerrshme të 13 Shtatorit 2011, jeta e familjes Guza nuk është më e njëjtë. Çdo ditë ata zgjohen me dhimbjen për djalin e tyre. Mungesa e Juxhinit është e pazëvendësueshme.

Askush nuk është dënuar për vdekjen e të riut. Prindërit e Juxhinit nuk heqin dorë së kërkuari drejtësi për të birin. Një vit më parë, ata rrëfyen në “Pasdite në Top Channel” përpjekjet për të zbuluar se kush e vrau djalin e tyre.

Top Channel