72-vjetori i Konferencës së Pezës

16/09/2014 00:00

Në fshatin Pezë është përkujtuar 72-vjetori i Konferencës së Pezës, një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në kremtimin e kësaj dite para shtëpisë muze, ku 72 vjet më parë zhvilloi punimet Konferenca e Pezës, kishin ardhur qindra veteranë të Luftës Antifashiste, banorë të zonës së Pezës, si dhe mjaft qytetarë nga Tirana.

Të i pranishëm ishin zv/kryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, Prefekti i Tiranës, Sadi Vorbsi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe drejtues të organizatave të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli theksoi se, këtë vit qeveria është përpjekur të sjellim sigurinë për të ardhmen.

“Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, Shqipëria sot është në rrugën e Bashkimit Europian, ku ajo me të drejtë ka marrë statusin e vendit kandidat. Por, – ka nënvizuar zonja Kodheli, – Shqipëria nuk mund të bëhet ajo që të parët tanë ëndërruan, ajo që për të cilën ju që jeni prezent këtu keni punuar, nëse nuk do të kujtojmë gjakun e dëshmorëve dhe të martirëve. Ata luftuan për një ideal, i cili duhet të mbahet lart dhe të ruhet me krenari, që është lavdia e këtij vendi”, – deklaroi ministrja Kodheli.

Në vijim, zv/kryeministri Niko Peleshi, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe autoritetet e tjera pjesëmarrëse në këtë ceremoni vendosën kurora me lule në monumentin kushtuar Konferencës së Pezës dhe bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve të Pezës.

Top Channel