Një aksident me pasojë vdekjen ndodhi mesnatën e djeshme në superstradën Lushnje-Fier.

Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur mbikalimi i Savrës, kur një 46-vjeçar nga Puka, me banim në Lushnje, është goditur nga një automjet në lëvizje.

Trupi i viktimës Murat Alia është gjetur në një kanal anësor të rrugës, rreth 30 metra larg vendit të goditjes. Policia identifikoi mjetin dhe ndaluar drejtuesin e tij 30 metra nga vendi i përplasjes.

Viktima është aksidentuar nga një mjet tip Benz ML, me targa AA 626 HN, në pronësi të shtetasit Panajot Çiroku. Drejtuesi i mjetit, për shkak të errësirës dhe shpejtësisë me të cilën po lëvizte, nuk ka parë këmbësorin, duke e përplasur atë në pjesën e përparme të mjetit dhe duke e lënë të vdekur në vend.

Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë pakujdesia e këmbësorit, i cili nuk ka përdorur mbikalimin drejt Savrës, por ka ecur në shtratin e rrugës. Po kështu, edhe mbi drejtuesin e mjetit rëndon akuza e tejkalimit të shpejtësisë, pasi sinjalistika në këtë zonë udhëzon ecjen me 60 km në orë.

Ky nuk është rasti i parë i aksidenteve me humbje jete në zonën e Savrës, pasi banorët ecin në këmbë për të kaluar nga njëri krah i autostradës në tjetrin.

Top Channel