Champions, nis faza e grupeve, surpriza dhe spektakël

16/09/2014 00:00

Ka filluar faza e grupeve të Champions League me surpriza e përballje të forta. Ndeshja më e rëndësishme e mbrëmjes ka qenë ajo mes Borusias së Dortmundit dhe Arsenalit, përballje që gjermanët e fituan lehtësisht 2-0, duke kontrolluar për gjatë gjithë 90 minutëshit.

Në fillim Immobile me një aksion personal zhbllokon rezultatin në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën është Aubameyang ai që shënon golin e dytë. Arsenali në të dyja rastet ka qenë i pafuqishëm për të reaguar.

Gjithsesi surpriza e mbrëmjes mund të konsiderohet Olimpiakosi, i cili arriti të mund në Athinë Atletico Madrid-in me rezultatin 3-2, ndërkohë që Juventusi mund në Torino Malmon me rezultatin 2-0. Ka qenë argjentinasi Tevez autori i të dy golave që i jep këtë 3-pikësh të parë skuadrës së Alegrit.

Liverpuli vetëm në shtesë arrin të sigurojë fitoren përball Ludogorets-it. Balotelli gjen golin e parë në Champions, por shumë shpejt Abalo barazon rezultatin dhe penalltia e Gerrard në minutat shtesë i jep mundësinë vendasve të marrin pikët e plota në këtë ndeshje të parë.

Anderlecht-i i Besnik Hasit ka marrë pikën e parë në transfertë, duke barazuar 1-1 me Galatasaray-n. Ata ishin në fitore deri në minutën e fundit por Illmaz barazon në kohën shtesë duke i ndarë të dyja skuadrave nga 1 pikë.

Reali i Madridit ka shkatërruar 5-1 Basel-in në “Bernabeu”. Të gjithë sulmuesit madrilen arritën të shënonin duke filluar me Bale, Ronaldon, Rodrigez dhe Benzema në pjesën e dytë ndërkohë që goli i parë ishte autogol i zviceranëve.

Top Channel