Paskal Milo, kryetari i Komisionit për Rishkrimin e Historisë në sistemin parauniversitar, rrëfeu në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel detajet e punës që sapo ka nisur, sidomos për pjesën e komunizmit dhe figurës së Enver Hoxhës për të cilën ka patur debate.

Sipas Milos, veç politikës ky debat ndizet dhe nga një tjetër grup personash që kanë interesa ekonomike.

Kryetari i Komisionit për Rishkrimin e Historisë, theksoi rëndësinë e këtij procesi për t’i shpërblyer sa më mirë brezit të ri, i cili deri më tani, ka studiuar një histori të mbushur me shumë pasaktësira.

Pandi Gjata: Prej disa javësh është ngritur Komisioni për Rishkrimin e Historisë së sistemit parauniversitar. Sa kohë ka që keni nisur nga puna dhe cilët historianë janë në përbërje të këtij komisioni?

Paskal Milo: Ka gati 9 muaj që komisioni është krijuar me një vendim të posaçëm të Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve. Komisioni ka filluar nga puna. Ishte parashikuar që tekstet do të përdoreshin në këtë vit shkollor, por për shkak të nevojës për ndryshimin e ligjit për arsimin parauniversitar u vonua. Tani jemi në një proces ku po presim amendimin e ligjit, me qëllim që të kemi të hapur rrugën ligjore për hartimin e teksteve të reja.

Pandi Gjata: Me cilët koleg jeni duke punuar në këtë komision?

Paskal Milo: Komisioni është i përzgjedhur, pavarësisht ndonjë komenti që mund të bëhet. Anëtarët e komisionit janë historian të njohur, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, specialistë të periudhës për të cilën janë ngarkuar të shkruajnë tekstet e historisë. Në këtë komision janë emra të njohur, historian të tillë si, Pëllumb Xhufi, Dritan Egro, shefi i Departamentit të Arkeologjisë dhe të Historisë së Vjetër në Fakultetin e Histori – Filologjisë, janë dy historian të huaj, njëri është amerikan i mirënjohur në Shqipëri për shkak të librave që ka bërë. Tjetër anëtar është një profesor në një nga universitetet e njohura amerikane. Gjithashtu është edhe një studiues shumë i njohur gjerman, i cili edhe ai ka shkruar për historinë e Shqipërisë. Ne i kemi përzgjedhur qëllimisht për të shmangur atë çka është e zakonshme në jetën tonë shqiptare, jo vetëm politike, por edhe në atë që quhet opinionbërëse , e cila ka filluar padrejtësisht të krijojë debate ‘shterpe’.

Pandi Gjata: Debatet kanë nisur në mënyrë të veçantë për figurën e Enver Hoxhës dhe periudhën e komunizmit. Çfarë do të ndryshojë për këtë periudhë të gjatë, por edhe për figurën e Enver Hoxhës?

Paskal Milo: Kam qenë shumë i qartë, por ka disa njerëz që bëjnë sikur nuk e kuptojnë sepse ‘i bien fyellit gjithmonë në një vrimë’ dhe kërkojnë të keqpërdorin edhe këtë rast për të dalë atje ku duan të dalin. Komisioni nuk do të merret as me jetëshkrimin e Enver Hoxhës, as me punët e Enver Hoxhës, as me bëmat dhe as me krimet. Komisioni do të shkruajë histori të thjeshtë për nxënësit shqiptarë. Kjo do të jetë një punë që do të ketë në themel të saj vullnetin për t’u dhënë nxënësve shqiptarë tekste sa më të thjeshta dhe sa më të kuptueshme dhe sa më objektive.

Pandi Gjata: A do të ketë rivlerësim të figurës së Enver Hoxhës? Kjo është e gjithë akuza që po ju bëhet.  

Paskal Milo: Ata nuk e dinë akoma se neve nuk e kemi shkruar tekstin. Si mund të gjykosh që është bërë rivlerësim, keqpërdorim në një kohë kur teksti nuk është shkruar? Pse gjithë kjo zhurmë? Nevoja për të rishkruar tekstet e shkollave ka lindur nga fakti se në tekstet aktuale ka pasur një abuzivizëm masiv në lidhje me tekstet alterantive. U bë një pazar i mirëfilltë vetëm për të nxjerrë fitime shtëpitë botuese që lidheshin me drejtoritë arsimore dhe nuk i kushtohej vëmendje cilësisë. Mbi të gjitha, në këto tekste historia e kombit shqiptar paraqitej në mënyra dhe variante nga më të ndryshmet, aq sa nxënësit çorientoheshin. I është lejuar hapësira manovrimi ndërhyrjes së politikës. Sigurisht që tekstet e shkruara janë hartuar edhe nga kolegët tanë, por në mjaft tekste janë gjetur gabime dhe keqinterpretime.

Pandi Gjata: Cili nga historianët po merret me pjesën e periudhës së komunizmit?

Paskal Milo: Pikërisht për të shmangur këto akuza që janë të pabaza dhe ja fusin kotë. Ne kemi vendosur si komision që periudhën e komunizmit në Shqipëri ta shkruaj historiani gjerman. E para sepse shmangim keqkuptimin tradicional shqiptar që akuzojmë njëri-tjetrin dhe e dyta, mendojmë që duke qenë periudha e komunizmit, një i huaj e shkruan me një këndvështrim më objektiv.

Pandi Gjata: Prapë të huajt do të na e shkruajnë historinë?

Paskal Milo: Jo, nuk është kështu. Ne e shkruajmë më mirë se të huajt, këtë nuk e vë në dyshim. Por ne do të paragjykohemi menjëherë. Do të dalin shumë teori dhe akuza të mjediseve shqiptare. Pikërisht për t’u dhënë fund këtyre akuzave ne kemi bërë këtë zgjedhje. Periudhën e luftës do ta shkruaj historiani Fisher. Ai nuk mund të akuzohet.

Pandi Gjata: Kush janë periudhat e tjera të rëndësishme që do të rishikohen?  

Paskal Milo: Periudha e Zogut, të cilën do ta shkruaj unë. Për këtë nuk mund të dalë njeri dhe të më akuzojë, pasi nuk e njoh.

Pandi Gjata: Po periudhën pas viteve ’90 kush do ta shkruajë? Edhe këtu kemi histori, të cilat komentohen në variante të ndryshme.

Paskal Milo: Duke qenë se kjo periudhë nuk është e maturuar ende, për shkak se dokumentacioni historik nuk është në qarkullim, do të ketë një trajtim kronologjik, skematik. Do të vihen në dukje arritjet e vendit në politikën e brendshme, në jetesën sociale, ekonomike dhe në politikën e jashtme.

Pandi Gjata: Keni qenë në politikë, por edhe në histori. A besoni se këtë herë nuk do të ndikoheni nga politika në këtë punë që keni nisur?

Paskal Milo: Një nga pikat e dobëta të komisionit, nëse do ta keni vënë re, disa njerëz e kanë pikërisht në faktin se unë kryesoj komisionin duke qenë kryetar i një partie politike dhe këtu ata mendojnë se mund të goditet. Unë historinë e kam pasur dhe e kam pasion, e kam mbi politikën. Politikën e kam filluar shumë vonë dhe mund ta lë një ditë, por historinë kurrë. Historia është jeta ime dhe unë para saj nuk vë asgjë. Duke qenë në krye të komisionit do të bëjë çmos që tekstet e historisë të kenë garancinë maksimale për objektivitet dhe realizëm. Është momenti kur politika duhet të rri larg historisë. Ka edhe një grup të caktuar, që i preken interesat ekonomike, që e nxit këtë lojë dhe këtë debat të pakuptimtë.

Top Channel