Obama: Ebola, kërcënim për sigurinë globale

17/09/2014 00:00

Shpërthimin e virusit Ebola në Afrikën Perëndimore Presidenti amerikan, Barack Obama e ka cilësuar një “kërcënim për sigurinë globale”, pasi konfirmoi dërgimin e mijëra trupave amerikane për të forcuar shërbimet shëndetësore në shtetet e prekura.

Pas një takimi me ekspertë të shëndetit në selinë e Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve në Atlanta Presidenti amerikan njoftoi për masat që do të merren për zonat e prekura. Do të dërgohen 3 mijë trupa amerikane në terren, gjithashtu do të ndërtohen edhe qendra të reja të kujdesit shëndetësor.

Deri tani, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ebola ka vrarë 2.461 njerëz, të cilët përbëjnë gjysmën e të infektuarve. Ky njoftim erdhi pasi zyrtarë të OKB-së e kanë quajtur shpërthimin e virusit “një krizë shëndetësore të pashembullt në kohët moderne”.

Obama tha se shpërthimi kishte arritur përmasa të një epidemie në Afrikën Perëndimore. Ai i bëri thirrje vende të tjera për të rritur reagimin e tyre, pasi një përkeqësim i situatës do të kishte pasoja politike, ekonomike dhe të sigurisë për të gjithë. “Ekziston një kërcënim i vërtet global nëse nuk do të ketë një reagim ndërkombëtar ndaj kësaj situate”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel