Marrëveshja për rindërtimin e Gazës

17/09/2014 00:00

OKB ka ndërmjetësuar një marrëveshje për rindërtimin e Rripit të Gazës, duke i dhënë rol të rëndësishëm Autoritetit Palestinez dhe sektorit privat, ka thënë i dërguari i OKB-së në Lindjen e Mesme.

Robert Serri tha se marrëveshja, e rënë dakord mes izraelitëve dhe palestinezëve, parashikon fillimin e menjëhershëm të punimeve.

Shumë ndërtesa janë shkatërruar nga konflikti i kësaj vere. Në mes 8 korrikut dhe 27 gushtit më shumë se 2100 palestinezë mbetën të vrarë në Gaza. Gjatë kësaj kohe u vranë edhe 73 izraelitë, 66 prej të cilëve ushtarë.

I dërguari i OKB-së në Lindjen e Mesme zhvilloi një vizitë gjatë javës së kaluar në Gaza dhe u shpreh i tronditur me shkatërrimin e infrastrukturës, spitaleve dhe të shkollave. Ai tha se lagjet janë rrafshuar dhe rreth 18 mijë shtëpi janë të pabanueshme. Më shumë se 65 mijë palestinezë janë shpërngulur nga banesat e tyre dhe janë strehuar në kampet e ngritura nga OKB-ja.

Megjithëse armëpushimi i ndërmjetësuar nga Egjipti është arritur që prej 16 gushtit, Robert Serri e ka cilësuar sërish tepër të brishtë atë.

Top Channel