“Papa rrezikon të vritet nga ISIS”

17/09/2014 00:00

ISIS ka shfaqur “kërcënime të besueshme” për të vrarë Papa Françeskun! Kështu është shprehur një diplomat irakian, i cili ka paralajmëruar për rrezikun që i kanoset Atit të Shenjtë disa ditë përpara se Ai të vizitojë Shqipërinë.

Habeeb al Sadr lëshoi një paralajmërim të zymtë ditën e martë, pasi zyrtarët e Vatikanit këmbëngulën se nuk ka asnjë kërcënim ndaj sigurisë së tij, duke deklaruar sërish se ai nuk do të lëvizë me mjetin e tij të blinduar, siç bënte paraardhësi i tij Papa Benedikti XVI.

Al Sadr, ambasador i Irakut në Selinë e Shenjtë, pranoi se nuk njihte asnjë “fakt specifik” apo “projekt operacional”, por shtoi se: Mjafton të dish sa bëjnë dy plus dy dhe e kupton shumë mirë që ata duan të vrasin Papën.

Ambasadori tha se përhapja e ekstremizmit anembanë botës nënkupton që Papa Françesku është në rrezik kudo ku shkon, veçanërisht në vendet muslimane, por edhe në Britani, në Shtetet e Bashkuara apo qoftë edhe në Romë.

Në një prononcim për gazetën italiane “La Nazione”, ai shprehet se “kërcënimet ndaj Papës janë të besueshme. Deklaratat publike dhe krimet ndaj të krishterëve nga ISIS janë një fakt. Ndaj këto janë elementë që të bëjnë të dyshosh. Më lejoni të jem i qartë, nuk jam në dijeni të fakteve specifike apo projekteve operacionale. Por, ajo që është thënë nga terroristët e të ashtuquajturit dhe të vetëdeklaruarit “Shtet Islamik” është e qartë. Ata duan të vrasin Papën. Mendoj se do të përpiqen ta godasin gjatë udhëtimeve të tij, por ndoshta edhe në Romë, sepse ka disa anëtarë të ISIS, të cilët nuk janë arabë, por janë kanadezë, amerikanë, francezë, britanik apo edhe italianë. Grupet kriminale nuk është se thjesht kërcënojnë. Në Irak ata kanë shkelur dhe kanë shkatërruar disa vende të shenjta të muslimanëve shiitë. Ata kanë goditur vendet e kultit që i përkisnin fesë Yazidi, si dhe të të krishterëve. Ata detyruan 150 mijë të krishterë të largohen nga Mosuli”.

Ambasadori tha se morali i terroristëve është “konvertohu ose do të vritesh” dhe e përshkroi përhapjen e vrasjeve të tyre në Irak si një “genocid”.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel