Valë arrestimesh në xhamitë e Kosovës

17/09/2014 00:00

Mëngjesin e së mërkurës Policia e Kosovës ka arrestuar kryeimamin e
xhamisë së madhe në Prishtinë Shefqet Krasniqin, imamin e Xhamisë së
Mitrovicës Enis Ramën, imamin nga Peja Enes Goga, politikanin dhe një
ndër liderët e Lëvizjes Islamike në Kosovë Fuad Ramiqin, si dhe 11 imamë
dhe aktivistë tjerë.

Këto figura të profilit të lartë të klerikëve kosovarë, akuzohen se kanë nxitur të rinjtë të bëhen pjesë e organizatave terroriste Al-Nusra dhe ISIS në Siri dhe Irak, ku deri tani disa kosovarë janë konfirmuar si të vrarë.

Tre të arrestuarit, Shefqet Krasniqi, Enes Goga dhe Enis Rama kanë qenë pjesë e raportit të fundit mbi liritë fetare në Kosovë që e ka bërë Departamenti Amerikan i Shtetit. Në këtë raport, këta imamë përfolën si nxitës të urrejtjes ndërfetare dhe mbajtjes së ligjëratave radikale.

Ndër imamët dhe aktivistët e tjerë të arrestuar janë edhe imami nga Mitrovica Ekrem Avdiu, hoxha Eroll Nesimi që administron një portal fetar, Sabahudin Selimi, hoxhë nga Vitia, Eroll Nesimi, hoxhë dhe administrues i një portali fetar, Idriz Bilibani, hoxhë i komunitetit boshnjak dhe administrator i një portali fetar, Leonard Ruli, i vetëquajturi Ebu beker Ruli, hoxhë nga Prizreni, Dardan Gjuka, imam nga Peja, Shefki Koraçi, imam në Kaçanik dhe Mazllam Mazllami, imam nga Prizreni.

Po ashtu, në këtë aksion policia ka arrestuar edhe Bedri Robajn i cili thirret si imam në objektin e  improvizuar, me mbishkrimin se është xhami, por që vepron jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Gjatë bastisjes në 16 zona, policia ka njoftuar se kanë konfiskuar materiale inkriminuese lidhur me veprat për të cilat dyshohen këta persona, duke përfshirë pajisje elektronike si dhe dëshmi tjera që lidhen me rastin.

Bashkësia Islame e Kosovës përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin e saj për arrestimet që kanë ndodhur të mërkurën ndaj zyrtarëve të saj, por në këtë reagim Bashkësia Islame thotë se askush nuk është mbi ligjin.

Ndërkohë, në orët e pasdites, gjykata e Prishtinës ka dhënë masën e sigurisë prej 24 orë arrest shtëpie për imamin e kryeqytetit, Shefqet Krasniqi, ndërsa të enjten do të vendoset për hapat e mëtejshëm që do të ndiqen ndaj tij dhe të arrestuarve të tjerë mëngjesin e së mërkurës.

Avokati i tij, Bajram Tmava i ka cilësuar të pabaza dhe të pakuptimta akuzat ndaj klientit të tij. Sipas tij, Krasniqi akuzohet për pastrim parash në vitin 2004 dhe nxitje të të rinjve për të shkuar në Siri dhe Irak përmes deklaratave të tij.

Aksioni i të mërkurës është kryer me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës e cila edhe javë më parë kishte urdhëruar arrestimin e rreth 40 kosovarëve të tjerë me akuzat e përfshirjes në luftimet në Siri. Policia e Kosovës u ka bere thirrje të gjithë qytetarëve që mos të bien pre e joshjeve dhe indoktrinimeve ideologjike dhe për çdo rast të njoftojnë Policinë e Kosovës.
 

 

Top Channel