Afro 50 viktima nga sulmet ajrore në Siri

17/09/2014 00:00

Të paktën 48 persona, përfshi edhe luftëtarë rebelë, janë vrarë prej bombardimit nga ajri të forcave të qeverisë siriane mbi rajon të gjerë në provincën e Homsit, ka bërë të ditur një grup monitorues gjatë së mërkurës.

Sulmet ajrore që janë ndërmarrë këto dy ditë kanë lënë gjithashtu edhe gra e fëmijë mes të vdekurve, përfshi edhe një nënë që u vra me 5 fëmijët e saj, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani, i cili monitoron dhunën në Siri përmes një rrjeti të gjerë burimesh.

Disa dhjetra luftëtarë dhe komandantë rebelë janë konfirmuar gjithashtu të vdekur nga bombardimet, që kanë shënjestruar Talbisehun, një fshat në Veri të qytetit të Homsit, në autostradën kryesore që lidh Veriun dhe Jugun.

Në maj, rebelët sirianë kanë braktisur fortesën e tyre të fundit në zemër të qytetit të Homsit, që ka qenë epiqendër e revoltës kundër Presidentit Bashar al-Assad.

Numri i viktimave nga bombardimet në Talbiseh, që ndodhën gjatë së martës dhe së mërkurës, pritet të rritet, për shkak se dhjetra njerëz, përfshi fëmijë, janë në gjendje kritike për jetën, shton më tej Observatori.

Më shumë se 190 mijë persona janë vrarë gjatë konfliktit në Siri dhe miliona të tjerë janë zhvendosur, sipas Kombeve të Bashkuara. Konflikti nisi më shumë se 3 vjet më parë si një lëvizje protestash paqësore, ndërsa u kthye më pas në një luftë civile, pas sulmit qeveritar.

Top Channel