Ukrainë, rebelët të vendosur për pavarësi

17/09/2014 00:00

Një prej liderëve kryesorë të rebelëve në Ukrainë ka thënë për BBC se ligji i ri që lejon vetëqeverisjen e rajoneve lindore të vendit nuk do të ndikojë aspak kërkesën e tyre për pavarësi.

Andrei Purgin tha se nuk kishte asnjë plan për të zhvilluar marrëdhënie politike, federale apo diçka tjetër, me Ukrainën. Por, shtoi se ka gjëra “pozitive” në lëvizjen e deputetëve të Parlamentit ukrainas, për t’u garantuar më shumë kontroll mbi qeverisjen si dhe një amnisti ndaj rebelëve pro-rusë.

Ai tha se ky ligj do të përdoret si bazë për dialogun, por rebelët nuk do të tërhiqen nga dëshira për “t’iu bashkuar botës ruse”. Ligji i ri që prek rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut dhe që është një veprim pasues i armëpushimit të 5 Shtatorit, është dënuar nga disa parlamentarë ukrainas, të cilët e konsiderojnë atë si “kapitullim”.

Paqja erdhi pas disa muajsh konflikti mes separatistëve dhe forcave qeveritare. Ajo është respektuar deri më tani, pavarësisht luftimeve sporadike mes dy palëve përgjatë 12 ditëve deri më sot.

Purgin, i pari zv/kryeministër i së ashtuquajtur Republika Popullore e Donjeckut, tha se lëvizja e parlamentarëve ishte realisht një “ftesë për t’u ulur në tavolinën e negocimeve”.

“Gjëja e parë pozitive është se tashmë ne nuk përshkruhemi më si terroristë. Së dyti, sipas këtij ligji, ne kemi të drejtën për marrëdhënie politike dhe ekonomike me të huajt”.

Rebelët në Lindje të vendit kanë luftuar kundër trupave ukrainase që prej pushtimit të disa fshatrave në muajin Prill. Purgin ka thënë se Parlamenti i Ukrainës voton vetëm për ligjet e këtij vendi, por “ne kemi këshillin tonë të lartë, i cili merret me ligjet tona”.

Ai akuzoi gjithashtu Europën se po kërkonte “shkatërrimin e rusishtfolësve në Ukrainë”.

“Ka me mijëra të vdekur, të cilët kanë luftuar për të drejtat e qytetarëve rusishtfolës në këtë vend. Për të drejtën për t’u bërë pjesë e botës ruse. Për të drejtën për të qenë rusë”, tha ai, i cili më pas shtoi se “Ukraina është vendi më i shkatërruar, më i varfër dhe më i korruptuar në Europë. Ajo është një pellg ujërash të zeza të Europës”.

Top Channel