Ferrari, Marchionne: Duhet kohë për podiumin!

17/09/2014 00:00

Nga Nju Jorku, Sergio Marchionne thuajse u ka dhënë një goditje shpresave të pakta të tifozëve të Ferrarit.

Presidenti i ardhshëm i “kokëkuqes” ka ripërsëritur mendimet e tij në lidhje me skuderinë italiane, duke shtyrë në një kohë të pacaktuar rikthimin e Ferrarit në krye të Formula 1.

“Kur do të kthehemi në podium? Nëse do ta dija… Montezemolo ka bërë një punë të madhe, e ka provuar prej kohësh. Por, duhet të riorganizohemi, ndaj dhe na duhet pak kohë”, ka pranuar administratori aktual i Fiat Chrysler.

“Duhet të përmirësojmë performancën sportive, ndërsa nuk do të ketë ndryshim sa i përket ekskluzivitetit të markës”, ka shtuar Marchionne, duke konfirmuar sërish idetë e shprehura gjatë kohës që sapo u shpall si zëvendësues i Montezemolos.

Shpresat e ferraristëve janë që pas këtyre fjalëve të vijnë veprat dhe faktet, pasi u bë kohë që nuk shijojnë vendet e kreut në Formula 1, për të mos folur për titull kampion.

Top Channel